schema:text
| - Foto: Komuna e Lipjanit
Pas raportimit në ‘Jeta në Komunë’, nis sanimi i kanalizimit në fshatin e Lipjanit
Deklarata
Imri Ahmeti-(19.10.2020) “Vazhdon shtrati i lumit me u punu këto ditë fillon, është kontraktuar një projekt i ri… e njëjta kompani do ta sanojë edhe këtë defekt”.
Vlerësimi
E vërtetë
Kryetari i Lipjanit ka mbajtur fjalën për fillimin e punimeve për sanimin e defekteve në kanalizimin e fshatit Dobrajë e Madhe.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në emisionin “Jeta në Komunë”, ka deklaruar se do të sanohet rrjeti i kanalizimit në një pjesë të fshatit Dobrajë e Madhe, ndërsa pak ditë më vonë, punimet për rregullimin e kanalizimit kanë nisur.
Në “Jeta në Komunë”, është raportuar për problemin me kanalizim në këtë fshat.
Storia tregonte se në fshatin Dobrajë e Madhe është investuar në kanalizm, mirëpo mungesa e mirëmbajtjes i kishte nxjerrë ujërat e zeza para shtëpisë së Enver Krasniqit.
“Kanalizimi, një gyp ka kërsit qaty prej pranverës është duke u derdh në lum. Ju pe shihni qysh po ec. Kanë thanë që e rregullojnë por nuk e dimë as vet”, ka thënë banori i fshatit.
Kurse, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në Emisionin “Jeta në Komunë”, ka thënë se do të sanohet edhe defekti i kanalizimit në Dobrajë të Madhe.
“Shtrati i lumti është pastruar, e dinë banorët. Shpërthimi besoj që duhet me u kry patjetër. Vazhdon shtrati i lumit me u punu këto ditë fillon, është kontraktuar një projekt i ri bashkë me një park që do të bëhet në atë pjesë të Dobrajës dhe e njëjta kompani do ta sanojë edhe këtë defekt”, kishte thënë Ahmeti.
Pak ditë më vonë, Komuna e Lipjanit përmes Facebook-ut njoftoi se në fshatin Dobrajë e Madhe ka filluar faza e tretë e projektit për ndërtimin e shtratit të lumit në këtë vendbanim, ku edhe derdhej kanalizimi.
Ndërkaq, edhe zyrtarja e lartë për Komunikim me Pulbikun në këtë komunë Bukurie Zejnullahu, ka konfirmuar për KALLXO.com se po sanohet edhe problemi me kanalizimin.
“Tash e disa ditë është duke u punuar në atë pjesë për të sanuar problemin me kanalizimin”, ka thënë ajo për KALLXO.com.
Edhe banorët e fshatit kanë konfirmuar për KALLXO.com se është duke u punuar për rregullimin e kanalizimit pranë shtëpive të tyre.
Debati për Komunën e Lipjanit është xhiruar më 19 tetor dhe është transmetuar më 28 tetor 2020.
“Jeta në Komunë” ditë më parë ka publikuar hulumtimin lidhur me debatin që është mbajtur me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe asamblistët e kësaj komune.
Pas tri viteve në pushtet që nga marrja e mandatit të kryetarit të komunës më 2017-ën, Imri Ahmeti në emisionin “Jeta në Komunë” prezantoi sukseset e tij gjatë kësaj kohe, përderisa u sfidua edhe me premtimet që ua kishte dhënë lipjanasve.
Lipjani mes sukseseve dhe problemeve në mandatin e dytë të Imri Ahmetit
|