Thaçi e Veseli “pjesë” e aksionit në veri. Polici i Njësisë Speciale i mban në telefonin e tij
Deklarata
Thaçi e Veseli “pjesë” e aksionit në veri. Polici i Njësisë Speciale i mban në telefonin e tij
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi “Thaçi e Veseli “pjesë” e aksionit në veri. Polici i Njësisë Speciale i mban në telefonin e tij” është i rremë. Krypometri ka konfirmuar se polici special nuk e ka mbajtur fotografinë e tyre në operacionin në Banjskë dhe se fotografia origjinale është shkrepur në Prishtinë para dy vitesh.
Artikulli
Me 27 shtatorit 2023, media online “IndeksOnline” dhe disa faqe të tjera si “Informacioni”, PDK për Kosovën”, “Viciana Press”, kanë publikuar një fotografi në të cilën shihet një Polic i Kosovës duke mbajtur në dorë një telefon me fotografinë e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.
Në këtë fotografi është vendosur një mbishkrim në të cilin thuhet se “Thaçi e Veseli “pjesë” e aksionit në veri. Polici i Njësisë Speciale i mban në telefonin e tij”.
Krypometri ka verifikuar nëse polici i njësisë speciale i cili mban këtë telefon në dorë e ka mbajtur mbështjellësin e telefonit edhe në operacionin e ditëve të fundit në veri.
Krypometri fillimisht ka konstatuar se personi i paraqitur në pamje është pjesë e njësisë speciale FIT.
Në një komunikim me Krypometrin, zyrtari në fjalë ka mohuar ta ketë mbajtur këtë telefon në operacionin në Banjskë në Zveçan.
“Nuk është e vërtetë, tash kam një telefon tjetër. Ajo fotografi është bërë para disa vitesh në një parade në Prishtinë”- ka thënë polici.
Publikimi i emrit të pjestarit të policisë është mbuluar me kërkesën e tij pasi ai është pjesë e njësisë elitare e cila nuk e zbulon identitetin.
Përpos verifikimit direkt me policin, Krypometri ka kontrolluar edhe fotografinë origjinale.
Koha kur është shkrepur kjo fotografi është e vitit 2021, gjatë parakalimit të Policisë së Kosovës për nderë të përvjetorit të Pavrësisë së Kosovës.
Edhe në fotografinë pa mbishkrim në të, shihet se fotografia është shkrepur në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë.
Publikimi i këtij lajmi ndodhi në kohën e zhvillimeve në Banjskë.