schema:text
| - Titulli i rremë për Ukshin Hotin
Deklarata
Fakte të reja nga zyrtari serb qe më në fund e shpalos të vërtetën e Ukshin Hotit! Ja çfarë ka ndodhur me të, doli e vërteta në shesh (Video)
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “Fakte të reja nga zyrtari serb qe më në fund e shpalos të vërtetën e Ukshin Hotit! Ja çfarë ka ndodhur me të, doli e vërteta në shesh (Video)” nuk janë të bazuara në fakte. Në artikull nuk është dhënë asnjë dëshmi se ajo çfarë ka thënë ish-drejtori i burgut në Serbi, Trivun Ivkoviq është e vërteta e plotë rreth rastit të Ukshin Hotit.
Artikulli
Më 2 prill 2023 faqja “Origjinale” publikoi një artikull me titull: “Fakte të reja nga zyrtari serb që më në fund e shpalos të vërtetën e Ukshin Hotit! Ja çfarë ka ndodhur me të, doli e vërteta në shesh (Video)”.
I njëjti lajm me po këtë titull është shpërndarë edhe në faqe tjera të internetit si: “Rreth Botes”, “Media Today”, “Albanian Shqipe”, “Fol Shqip”, “Bota Today”, “Arena Shqip”.
I njëjti artikull është publikuar për herë të parë në vitin 2022.
Po ashtu, brenda këtij shkrimi flitet për një intervistë të drejtorit të burgut të Mitrovicës në Serbi, Trivun Ivkoviq, i cili flet rreth rastit të Ukshin Hotit.
Përkundër paralajmërimit se do të prezantohen fakte të reja, në artikull nuk është dhënë asnjë informacion i ri që e shpalosë të vërtetën rreth fatit të Ukshin Hotit.
Përveç kësaj, artikulli që është shpërndarë nuk mund të hapet pa klikuar në reklama.
Një intervistë e ish-drejtorit të burgut në Serbi, Trivun Ivkoviq ishte publikuar në vitin 2015. Por, deklaratat e tij, nuk janë konfirmuar se janë e vërteta e plotë se çfarë ka ndodhur me rastin e Ukshin Hotit.
|