schema:text
| - Shkolla në Pozharan të Vitisë nuk është gati as për gjysmëvjetorin e dytë
Deklarata
Sokol Haliti (23.10.2020)- “Ne po shpresojmë shumë që pjesën e dytë të vitit shkollor, shkolla të kompletohet, besoj që në gjysmë vjetorin e dytë do të jemi gati”
Sokol Haliti(09.03.2019)- “Ndërtimi i shkollës së re do të fillojë shumë shpejt… Do të bëhet edhe revitalizimi i kësaj shkollës së vjetër në mënyrë që deri më 2017-tën (të kryhet shkolla e re)”
Vlerësimi
Rrenë
Sokol Haliti nuk e ka përmbushur zotimin e tij për përfundimin e shkollës ‘Halil Alidema’ në Pozheran megjithëse e kishte premtuar në të dy mandatet e qeverisjes së tij në Viti.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti kishte premtuar që gjysmëvjetorin e dytë, 477 nxënësit e Shkollës ‘Halil Alidema’ në Pozheran do të fillojnë në objektin e ri. Premtime për përfundimin e objektit të kësaj shkolle kishte pasur në dy mandatet e Halitit në krye të Vitisë.
Ne debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, Haliti kishte arsyetuar se përse dy mandate nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.
“Ne po shpresojmë shumë që pjesën e dytë të vitit shkollor, shkolla të kompletohet, besoj që në gjysmë vjetorin e dytë do të jemi gati”, ka thënë Haliti më 23 tetor.
Gjysmëvjetori i dytë filloi më 18 janar dhe nxënësit ende nuk janë ulur në bankat e reja, por kanë vazhduar mësimet në objektin e shkollës së mesme të lartë “Kongresi i Manastirit” në të cilën mësimi mbahet në tri ndërrime.
Haliti ka folur për investimet në këtë shkollë edhe në debatin e organizuar nga BIRN për zbatim të rekomandimeve të auditorit.
KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e kësaj shkolle, Drita Pira e cila ka thënë se objekti i ri ende nuk është gati.
“Ende nuk ka përfunduar objekti, jemi tek shkolla e mesme ende. Projekti nuk është i komunës, punimet janë duke u bërë, mirëpo për një kohë të shkurtër nuk e besoj që do të jetë i gatshëm”, ka thënë ajo.
KALLXO.com ka vizituar objektin në fshatin Pozheran në të cilën shihet se punimet janë duke vazhduar.
Kujtojmë se në debatin ‘Jeta në Komunë’ në vitin 2016 i pari i Vitisë kishte thënë që shtatori i vitit 2017 do t’i gjejë nxënësit në shkollën e re.
“Shkolla e re tash ka hy në buxhet, sepse shkolla e re na nevojitet aty. Ndërtimi i shkollës së re do të fillojë shumë shpejt… Do të bëhet edhe revitalizimi i kësaj shkollës së vjetër në mënyrë që deri më 2017-tën (të kryhet shkolla e re)”, ka thënë Haliti.
Që nga viti 2012, shkolla ‘Halil Alidema’ është konsideruar si e papërshtatshme për mbajtjen e mësimit nga inspektorati në Viti.
Mirëpo nxënësit kishin mbajtur mësimin aty deri në nëntor të viti të 2019 kur tërmeti me epiqendër në Shqipëri e shkatërroi edhe më shumë këtë shkollë duke e bërë të pamundur mbajtjen e mësimit në të.
|