schema:text
| - Përdorimi i imazheve të doktorit rumun për të mashtruar qytetarët rreth shërimit të nyjeve
Deklarata
Ata që kanë dhimbje në nyje, gjunjë dhe ije, lexoni këtë!
Vlerësimi
Rrenë
Video me mbishkrimin “Ata që kanë dhimbje në nyje, gjunjë dhe ije, lexoni këtë!”- është e rreme. Në video janë dhënë pretendime të rreme se gjoja mafia farmaceutike është duke e fshehur një kremë që shëron gjitha sëmundjet e nyjeve. Ortopedi Zukë Xani ka thënë se një kremë nuk mund të shërojë sëmundjet e nyjeve, pasi trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion. Reumatologia Arbnora Shabani Berisha ka thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet, si dhe në prekje të organeve të trupit.
Artikulli
Më 19.12.2024, faqja në Facebook healthy.com (arkiva & arkiva) ka publikuar një video në të cilën pretendohet se është gjetur ilaçi për shërimin e sëmundjeve të nyjeve.
“Ata që kanë dhimbje në nyje, gjunjë dhe ije, lexoni këtë!”- thuhet në titull të këtij publikimi.
Tutje, në video pretendohet se mafia farmaceutike është duke i fshehur ilaçet për sëmundjet e nyjeve.
“Shteti ynë dhe mafia farmaceutike duan vdekjen time. Këta idiotë më shpërthyen makinën. Ata duan që qytetarët tanë të paguajnë dhe të vuajnë nga dhimbjet e nyjeve, kockave dhe muskujve. Dua t’ua mbyllë këtë biznes, që nuk shitet në farmaci për shkak të efikasitetit të lartë.”- thuhet në fillim të kësaj videoje.
Tutje, pretendohet se duke përdorur produktin që ata reklamojnë, do të eliminohen të gjitha sëmundjet e nyjeve.
“Është trajtimi më i efektshëm kundër artrozës, artritit reumatik dhe sëmundjeve tjera të Sistemit muskulo-skeletor, vetëm me përbërës natyral. Ky trajtim lehtëson menjëherë dhimbjen dhe inflamacionin dhe garanton rikuperimin e plotë pas trajtimit të plotë. Sipas të dhënave shkencore ka si qëllim eliminimin e shkakut të vërtetë të sëmundjeve të nyjeve dhe jo thjeshtë mbulimin e simptomave.”- thuhet në këtë video.
Në këtë video shihet edhe një person që sipas narracionit pretendohet se ka shëruar 2 mijë pacientë, duke lënë të nënkuptohet se është doktor, fotografinë e të cilit e ka verifikuar Krypometër përmes pimeyes.com.
Në të vërtetë personi në video që pretendohet se flet shqip është neurokirurgu nga Rumania, Leon Danaila(arkiva), i cili nuk e ka specializim trajtimin e nyjeve.
Si trajtohen nyjet?
Për të kuptuar më shumë rreth trajtimit, shërimit të nyjeve, Krypometër ka kontaktuar ortopedë e reumatologë.
Ortopedi Zukë Xani ka thënë se trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenimin kirurgjik. Pra, gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja.”- tha Xani për Krypometër.
Reumatologia Arbnora Shabani Berisha thotë se është esenciale që secili ilaç apo suplement të ketë informacione për çfarë përdoret, efektet anësore, prodhuesin, etj., pasi ka parë postime të rreme, të cilat u japin shpresa qytetarëve për shërim të sëmundjeve.
Shabani Berisha ka dhënë sqarime për këtë sëmundje në një postim në profilin (arkiva) në Facebook, duke thënë se nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë adekuate, artriti reumatoid mund të çojë në dëmtime të përhershme të nyjeve, madje edhe në invaliditet, si dhe në prekje të organeve të trupit.
|