schema:text
| - Rrena për marrëveshjen që nuk u arrit mes Kosovës dhe Shqipërisë
Deklarata
Pasi nuk u morren vesh Kosova dhe Shqiperia vjen nje reagim nga Franca
Vlerësimi
Rrenë
Titulli “Pasi nuk u morren vesh Kosova dhe Shqiperia vjen nje reagim nga Franca” është i rremë. Asnjë takim për marrëveshje nuk është zhvilluar ditët e fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë e as nuk ka pasur reagim nga Franca në lidhje me të. Kosova e Shqipëria nuk kanë asnjë kontest sa i përket targave të veturave. Kosova e Serbia kanë kontest për targat e veturave, prandaj në fund të muajit nëntor 2022 është mbajtur një takim në mesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me qëllimë të gjendet një zgjidhje për targat ilegale.
Artikulli
Më 22 nëntor 2022, në faqen e internetit “Promakale.com” është publikuar një artikull me titull “Pasi nuk u morren vesh Kosova dhe Shqiperia vjen nje reagim nga Franca”.
Gjithë përmbajtja e artikullit i referohet marrëveshjes për targa, e cila nuk u arrit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 21 nëntor 2022 dhe reagimit të ambasadorit të Francës në Kosovë për këtë çështje.
Titulli i këtij artikulli është i rremë. Asnjë takim për marrëveshje nuk është zhvilluar ditët e fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë e as nuk ka pasur reagim nga Franca në lidhje me të. Kosova e Shqipëria nuk kanë asnjë kontest sa i përket targave të veturave.
Takime për dakordim më 21 nëntor 2022 ka pasur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takim ky 8-orësh i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Media “Promakale.com” e ka kopjuar komplet artikullin nga media online “Sinjali.com”, duke e cituar në fund për këtë.
Por artikullit të publikuar në faqen e saj “Promakale.com” ia ka ndërruar titullin. Nga “Reagon Franca: Shprehim keqardhje që nuk u arrit marrëveshja, Kosova ta pranojë propozimin e Borrellit për targat”, të cilin e ka artikulli i publikuar nga “Sinjali.com”, media “Promakale.com” e ka vendosur titullin “Pasi nuk u morren vesh Kosova dhe Shqiperia vjen nje reagim nga Franca”.
Derisa në artikull ka publikuar postimin e ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dhe keqardhjen që ai ka shprehur për mos dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e problemit të targave më 21 nëntor 2022.
“Franca shpreh keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të 21 nëntorit në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ajo i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Europian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve – dhe në veçanti Kosovës – të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Europian”- thuhet në postimin e publikuar nga ambasadori francez në Twitter, i cili është publikuar edhe nga “Promakale.com”.
Më 21 nëntor 2022, për rreth 8 orë në Bruksel, u diskutua mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësuesve të BE-së, në takime të ndara dhe të përbashkëta, për arritjen e një zgjidhje për çështjen e targave. Takimi përfundoi pa marrëveshje.
Në prag të fillimit të afatit për shqiptimin e gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi kërkesën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, që shqiptimi i gjobave të shtyhet për 48 orë, deri në arritjen e një marrëveshje.
Më 22 nëntor 2022, dy kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pas disa orëve diskutime arritën në një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së targave. Serbia ra dakord që të mos lëshojë targa të reja me akronime të qyteteve të Kosovës ndërsa Kosova nuk do të gjobisë pronarët serbë të veturave me targa ilegale.
|