schema:text
| - Nuk do të ndryshojnë kartëmonedhat euro
Deklarata
Valuta që do përdoret 01.01.2025
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me mbishkrimin “Valuta që do përdoret 01.01.2025”- është i rremë. Fotografia në të cilën shihet një kartëmonedhë 100 euro me figurën e kryeministrit, Albin Kurti është manipuluar, pasi kjo kartëmonedhë nuk është zyrtare. Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se nuk do të ketë ndryshim të kartëmonedhave. Euro është valutë zyrtare e 20 vendeve të Bashkimit Evropian, që formojnë zonën Euro, si dhe e disa vendeve të tjera, përfshirë Kosovën. Banka Qendrore Evropiane (ECB) është bartëse e politikës monetare europiane.
Artikulli
Më 16.12.2024, një profil në Facebook ka publikuar një fotografi të kartëmonedhës 100 euro, në të cilën shihet edhe profili i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Këtij postimi me përshkrimin “Valuta që do përdoret 01.01.2025”- është shpërndarë 60 herë dhe ka marrë mbi 80 reagime.
Për të verfikuar këtë pretendim, Krypometër ka kontrolluar uebfaqen e Bankës Qendrore të Kosovës, në të cilën nuk është publikuar asnjë njoftim apo vendim për ndërrim të valutës në Kosovë.
Tutje, Krypometër ka dërguar pyetje në Bankën Qendrore të Kosovës.
Në përgjigjet përmes e-mail, Banka Qendrore të Kosovës (BQK), ka thënë se kjo kartëmonedhë nuk korrespondon me ato që lëshon Banka Qendrore Europiane.
“Publikimet e tilla sikurse këto nuk korrespondojnë me dizajnin dhe karakteristikat e kartëmonedhave të emetuara nga Banka Qendrore Evropiane, i cili është institucioni qendror që mbikëqyr shtypjen, prerjen dhe shpërndarjen e monedhave e kartëmonedhave të euros.”- thuhet në përgjigjen e BQK-së. “Postimet e tilla krijojnë paqartësi, ndaj ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion, për t’i larguar këto njoftime.”
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në kuadër të Edukimit Financiar, ka të përgatitur doracakë që ofrojnë informacione të plota për veçoritë dhe tiparet e sigurisë së monedhës dhe kartëmonedhës euro.
Valuta euro (EUR) është monedha zyrtare e 20 vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat formojnë zonën Euro, si dhe e disa shteteve e territoreve të tjera jashtë BE-së, të cilat e përdorin atë si monedhë të tyre, përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Vatikanin, San Marinon, Andoran.
Banka Qendrore Evropiane (ECB) dhe Komisioni Evropian mbikëqyrin çështjet që lidhen me monedhën euro. Kurse, dizajni i kartëmonedhave dhe monedhave përcaktohet nga Eurogroup, Forum i Ministrave të Financave të vendeve të Eurozonës dhe miratohet nga ECB.
Simboli është përzgjedhur nga një listë me propozime në vitin 1995 dhe simbolizon shkronjën “E” për Evropën, me dy linja paralele € që përfaqësojnë stabilitetin.
Kartëmonedhat prodhohen nga Banka Qendrore të ndryshme të vendeve të BE-së, sipas kuotave të përcaktuara nga ECB, por Banka Qendrore e Kosovës nuk e bënë shtypjen e Euros. Kartëmonedhat pasqyrojnë një tematikë të përbashkët evropiane “Epokat dhe stilet arkitekturore në Evropë”.
|