schema:text
| - Pretendime të rreme për hemoroidet dhe shërimin e tyre
Deklarata
Nga HEMORROIDET tek KANCERI – Vetëm NJË HAP! Si të njihni kërcënimin në kohë? Intervistë me një proktolog të njohur shqiptar.
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Artikulli me titull “Nga HEMORROIDET tek KANCERI – Vetëm NJË HAP! Si të njihni kërcënimin në kohë? Intervistë me një proktolog të njohur shqiptar.” është i rremë. Në këtë artikull nuk është intervistuar asnjë mjek shqipëtar si pretendohet në titull. Në artikull janë përdorë mjekë fiktivë, të cilët janë ilustruar me fotografi të mjekëve nga Rusia dhe Bosnja e Hercegovina. Edhe pretendimet e ngritura në artikull që Hemoroidet shkaktojnë kancer janë të rreme, pasi mjekët thonë se “hemoroidet s’mund të shkaktojnë kancerin, por nëse ka kancer në zorrë të trashë, hemoroidet e maskojnë atë”.
Artikulli
Më 19.03.2024 ueb faqja ‘al.hemocure.pro’, (arkiva) ka publikuar një artikull me titull: “Nga HEMORROIDET tek KANCERI – Vetëm NJË HAP! Si të njihni kërcënimin në kohë? Intervistë me një proktolog të njohur shqiptar.”
I njëjti artikull është shpërndarë edhe nga faqja në Facebook, ‘HeromoStop’(arkiva), me titull, ‘Hemorroidet zhdukën brenda 3 ditësh! Shënoni një recetë të thjeshtë shtëpiake’.
Artikulli citon ‘Prof. D. Pushkar’, i cili pretendohet të jetë doktor i shkencave mjekësore, kirurg, koloproktolog, proktolog, kryehulumtues në Institutin e Proktologjisë dhe Klinikën e Proktologjisë dhe Radiologjisë Interventive në Qendrën Shkencore me një përvojë më shumë se 30 vjet.
Prof. Dr. Pushkar, në artikull është i ilustruar edhe me një fotografi, të cilën, Krypometri e ka kontrolluar nëse i takon dikujt me këtë emër.
Nga kërkimet del se fotografia i takon Dimitry Pushkar, që është urolog nga Rusia.
Në artikull është publikuar një fotografi që gjoja është “Roland Buhel, Zëvendësdrejtor i Qendrës për Kancer COLLO CANCER në Zyrich”, mirëpo Krypometër përmes Google Lens ka gjetur se në fotografi është doktori nga Bosnja e Hercegovina, Prof. dr. Emir Solakoviq.
Tutje në artikull thuhet se “Hemorroidet përfshijnë rreziqe të ndryshme për meshkujt dhe femrat, dhe kryesoret janë: Gjakderdhje – nyje të zgjeruara – kancer i zorrës së trashë”.
Këtë për Krypometër e ka mohuar drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
“Jo hemoroidet s’mund të shkaktojnë kancerin, por nëse ka kancer në zorrë të trashë, hemoroidet e maskojnë atë”- tha Kurtishi për Krypometër.
Artikulli rekomandon një kremë për shërimin e hemorroideve, ‘HemoRenew’.
Krypometri ka pyetur Astrit Haxhijahen lidhur me këtë produkt, i cili ka thënë se këto produkte i përcakton më së miri proktologu.
“Përcaktimi i këtyre produkteve për hemorroide bëhet në bazë të fazës së përkeqësimit”- tha Haxhijaha.
|