schema:text
| - Alarmi i rrejshëm për destabilizim të Ballkanit bazuar në një konkurs të përvitshëm të FSK-së për rekrutë
Deklarata
Kosova e jep Kushtrimin, FSK-ja me apel tek të gjith qytetarët e Republikës së Kosovës që janë nga 18 vjeç e lart, ti bashkangjiten ushtrisë së Kosovës, pasi që sipas burimeve të huaja është vërtetuar se do të ketë një destabilizim të ri në ballkan
Vlerësimi
Me kos
Postimi “Kosova e jep Kushtrimin, FSK-ja me apel tek të gjith qytetarët e Republikës së Kosovës që janë nga 18 vjeç e lart, ti bashkangjiten ushtrisë së Kosovës, pasi që sipas burimeve të huaja është vërtetuar se do të ketë një destabilizim të ri në ballkan”- nuk është i saktë. FSK-ja ka hapur konkurs për ushtarë të rinj, mirëpo aty nuk është bërë apel “pasi pritet të ketë destabilizim të Ballkanit”. Zëdhënësja e Ministrisë, Liridona Gashi, ka shpjeguar se konkursi është në vazhdën e rekrutimeve të përvitshme që realizohen në përputhje me nevojat operacionale të FSK-së dhe Planin gjithëpërfshirës të tranzicionit.
Artikulli
Më 14.09.2024 faqja e Facebook-ut Lajme Nga Bota (arkiva) ka publikuar një postim në të cilin thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës apelon të gjithë ata që janë mbi 18-vjeç t’i bashkëngjiten Ushtrisë nën pretendimin se do të ketë një destabilizim të ri në Ballkan.
“Kosova e jep Kushtrimin, FSK-ja me apel tek të gjith qytetarët e Republikës së Kosovës që janë nga 18 vjeç e lart, ti bashkangjiten ushtrisë së Kosovës, pasi që sipas burimeve të huaja është vërtetuar se do të ketë një destabilizim të ri në ballkan”- thuhet në postim.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometri ka kontrolluar postimet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më 09.09.2024, në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes është hapur konkursi për pranimin e 300 ushtarëve të rinj dhe të drejtë aplikimi kanë personat nga mosha 18-25 vjeç.
Mirëpo, në njoftim nuk është përmendur se FSK bën apel që të rinjtë t’i bashkohen Ushtrisë pasi sipas “burimeve të huaja është vërtetuar se do të ketë një destabilizim të ri në Ballkan”.
KrypometrI gjithashtu ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me konkursin e përvitshëm për ushtarët e rinj.
Zëdhënësja e Ministrisë, Liridona Gashi, ka shpjeguar se konkursi është në vazhdën e rekrutimeve të përvitshme që realizohen në përputhje me nevojat operacionale të FSK-së dhe Planin gjithëpërfshirës të tranzicionit.
“Konkursi për rekrutimin e ushtarëve të rinj, është në vazhdën e rekrutimeve të përvitshme që realizohen në përputhje me nevojat operacionale të FSK-së dhe Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”- ka thënë Gashi për Krypometër.
Për t’u rekrutuar ushtar në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme për rekrutim në FSK dhe për dallim nga kandidatët për kadetë oficerë, mosha minimale për konkurrim në FSK është tetëmbëdhjetë (18) vjeç në datën e konkurrimit në FSK, ndërsa mosha maksimale njëzet e pesë (25) vjeç.
Kriteret e përgjithshme për rekrutim në FSK përfshijnë: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë dëshmi për përfundimin e shkollës së mesme- kandidatët për rekrutë/ushtarë; të kenë diplomë të shkollës së mesme– kandidatët për kadetë dhe Testin e Maturës; të kenë diplomë universitare- oficerët për kualifikime të veçanta specializimi; të kenë aftësi të nevojshme shëndetësore dhe fizike për vendin e shërbimit; të mos jenë të dënuar për vepra penale me vendim të formës së prerë; të kenë figurë të pastër dhe të mos kenë probleme dëbimi nga shtetet e tjera, e kështu me radhë.
Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. FSK-ja është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.
Kuvendi i Republikës së Kosovës më 14.12.2018 e transformoi Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të vendit, duke ndryshuar tri ligje: Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
|