schema:text
| - Adem Hoxha nuk ka kandiduar me Listën Serbe në Zgjedhjet e 9 shkurtit
Deklarata
“Kryetari i Prizrenit veq paska fillu Bashkëpunimin me Listën Srpska, udhëheqësin e strukturave paralele serbe në Gorë të Sharrit”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Kryetari i Prizrenit veq paska fillu Bashkëpunimin me Listën Srpska, udhëheqësin e strukturave paralele serbe në Gorë të Sharrit”- është i rremë. Personi i cili është në fotografi me Kryetarin e Komunës së Prizrenit nuk është pjesë e partisë Lista Serbe, mirëpo është Adem Hoxha, kryetar i partisë gorane Partisë Unike Gorane. Hoxha ka kandiduar si prijës i listës së kësaj partie, në Zgjedhjet e mbajtura më 09.02.2025, duke marrë 1,053 vota.
Artikulli
Më 26.02.2025, faqja në Facebook Dekada e Kryeministrit Albin Kurti ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj dhe kryetari i Partisë Unike Gorane (JGP), Adem Hoxha, i cili ka qenë Deputet në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës.
Në postim është vendosur përshkrimi “Kryetari i Prizrenit veq paska fillu Bashkëpunimin me Listën Srpska, udhëheqësin e strukturave paralele sërbe në Gorë të Sharrit”.
Në postim është edhe një fotografi e një artikulli me titull “Deputeti Adem Hoxha i bashkohet Listës Serbe”.
Për të verifikuar pretendimin se Adem Hoxha është pjesë e partisë serbe Lista Serbe, Krypometër ka kontrolluar listën e kandidatëve të partive të cilët kanë garuar në Zgjedhjet e mbajtura më 09.02.2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në listën e kandidatëve të partisë Lista Serbe nuk figuron asnjë person me emrin Adem Hoxha.
Tutje, Krypometër ka kontrolluar listat e të gjitha partive politike dhe ka gjetur se Hoxha në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kandiduar me partinë gorane Partisë Unike Gorane, duke qenë kryesues i listës dhe Kryetar i kësaj partie.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Hoxha si kryesues i listës së Partisë JGP i ka marrë 1,053 vota.
Krypometër ka analizuar edhe uebfaqen e Kuvendit, përkatësisht deputetët e legjislaturës së fundit. Hoxha nuk ka qenë pjesë e ndonjë Grupi Parlamentar gjatë kësaj legjislature.
Pas kërkimit në internet me fjalët kyçe Deputeti Adem Hoxha i bashkohet Listës Serbe, Krypometër ka gjetur se artikulli është publikuar në nëntor të vitit 2020 dhe nuk përkon me aktualitetin. Në artikull thuhet se Hoxha i është bashkuar Grupit Parlamentar të Listës Serbe, por nuk thuhet se ai është anëtarësuar në këtë parti.
Bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët janë të lirë të zgjedhin nëse dëshirojnë t’i bashkohen ndonjë Grupi Parlamentar, apo të vendosin që të veprojnë si të vetëm. Grupimi i deputetëve në Grupe Parlamentare nuk nënkupton edhe anëtarësime në atë parti, si është rasti i Grupit 6+, në të cilën janë bashkuar zakonisht deputetët të cilët vijnë nga komunitetet joshumicë dhe parti të ndryshme.
Hoxha është politikan kosovar i cili përfaqëson komunitetin goran. Komuniteti është i përqendruar kryesisht në Komunën e Dragashit dhe fshatrat përreth.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave në të gjitha vendvotimet, më 21.02.2025. Njëherësh është kryer verifikimi i votave të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për Deputet. Tani ka mbetur numërimi i votave me kusht, votave nga jashtë dhe votave të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të bëhet çertifikimi i rezultatit zgjedhor dhe të dihet saktë se nga sa deputetë do t’i marrin partitë që kanë kaluar pragun zgjedhor dhe partitë e komuniteteve pakicë në vend.
Sipas rezultateve të tanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, koalicioni AAK- NISMA 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
|