schema:text
| - Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit
Kryetari i Lipjanit mban premtimin për ujin në Janjevë
Deklarata
Imri Ahmeti: “Me datën 19 shtator nuk ka pas ujë, mirëpo tashmë është zgjidhur problemi i ujit në Janjevë. Gjithë Janjeva ka ujë”.
Vlerësimi
E vërtetë
Banorët e fshatit Janjevë të Komunës së Lipjanit thonë se më nuk kanë ndërprerje të ujit. Krejt ndryshe ishin deklaruar kur janë vizituar nga ekipi i KALLXO.com vitin e kaluar, kur ishin duke bartur ujë nga burime të ndryshme të ujit. Në Komunën e Lipjanit kanë thënë se aktualisht në këtë komunë ka ujë pandërprerë.
Artikulli
Banorët e fshatit Janjevë të Komunës së Lipjanit, para rreth 7 muajve janë përballur me reduktime të shpeshta të ujit.
Ky problem është ngritur nga emisioni Jeta në Komunë, në tetor të vitit të kaluar në kohën e fushatës zgjedhore.
Kryetari Imri Ahmeti që kishte udhëhequr mandatin e kaluar këtë komunë, e kishte pranuar që banorët e Janjevës përballeshin me mungesë të ujit, por sipas tij çështjen e ujit e kishin zgjidhur.
Jeta në Komunë, pas raportimeve të qytetarëve kishte dëshmuar se banorët bartnin ujë me kova, ndërsa Ahmeti në ditën që u mbajt debati tha se çështja e ujit është përmirësuar.
“Me datën 19 shtator nuk ka pas ujë, mirëpo tashmë është zgjidhur problemi i ujit në Janjevë. Gjithë Janjeva ka ujë”, tha ai.
Gjatë muajit maj 2018, KALLXO.com ka vizituar banorët e fshatit Janjevë, të cilët kanë thënë se më nuk kanë probleme me ujin.
KALLXO.com, ka kontaktuar Zyrën për Informim të Komunës së Lipjanit, për ta konfirmuar përmirësimin e gjendjes së ujit në këtë fshat.
Bukurije Zejnullahu- Jashari, zëdhënëse e Komunës së Lipjanit tha se para 6 muajve Komuna e Lipjanit ka intervenuar në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit përmes gypit kryesor nga burimet e ujit në Lipjan për në Janjevë.
“Gjithashtu në Janjevë ekziston edhe rrjeti sekondar, i cili është shpërndarë për çdo ekonomi familjare që rezulton furnizimin me ujë 24 orësh”, tha Zejnullahu- Jashari.
Sipas saj, më herët ka pasur reduktime të konsiderueshme dhe pas intervenimeve të herëpashershme nga Komuna e Lipjanit edhe në mandatin e kaluar, pas vendosjes së gypit kryesor ky problem tani është zgjedhur.
Brengë tjetër, sipas saj, mbetet moskryerja e obligimeve të konsumatorëve ndaj kompanisë së ujësjellësit.
“Nga informatat që kemi nga Ujësjellësi Rajonal në Lipjan, është shqetësues numri i vogël i banorëve që kryejnë obligimet në cilësinë e konsumatorëve të ujit”, shprehet Jashari- Zejnullahu.
|