schema:text
| - Titulli i pasaktë se Kurti është drejt burgut
Deklarata
Albin Kurti drejt burgut?! Zbulohet pse u thirr nga “Specialja’!
Vlerësimi
Me kos
Titulli i artikullit “Albin Kurti drejt burgut?! Zbulohet pse u thirr nga “Specialja’!”- është i rremë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është ftuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në cilësinë e të dyshuarit, mirëpo vetëm të dëshmitarit. Deri në këtë fazë, Prokuroria Speciale nuk ka lëshuar ndonjë njoftim se Kurti është i dyshuar dhe rrezikon të burgoset. Në dokumentin e Prokurorisë Speciale, Kurti është thirrur si dëshmitar për rastin e rezervave shtetërore, në një rast në të cilin janë të dyshuar disa zyrtarë shtetëror dhe një biznesmen.
Artikulli
Më 14.12.2024, në rrjetin social Facebook (arkiva) është shpërndarë një kronikë televizive “Albin Kurti drejt burgut?! Zbulohet pse u thirr nga “Specialja’!”.
E njëjta është publikuar fillimisht në Euronews Albania në Youtube, e më pas është shpërndarë në Facebook.
Për të verifikuar këtë pretendim, Krypometër ka kërkuar informacionet e publikuara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Përmes kërkimeve në internet, Krypometër ka gjetur se më 11.12.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu kishte publikuar njoftimin për thirrjen e kryeministrit Kurti nga Prokuroria Speciale.
Në dokumentin e Prokurorisë Speciale, të publikuar nga Kryeziu, shihet se Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Numri i lëndës, që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit, përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore.
Ndonëse, ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që Kryeministri të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave, ka thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.
“Sot nga Kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër.”- ka thënë Kozmaqi.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm t’i presë Prokurorët e rastit në zyrën e tij, në një ditë e orë të dakorduar nga të dy palët.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu ka thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë Prokurorët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht Prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që Kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së Prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë Prokurorët e rastit në Zyrën e tij, në një ditë e orë të dakorduar nga të dy palët, për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë.”- ka thënë Kryeziu.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit, më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023. Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024. Ndërsa, më 04.10.2024, Ridvan Muharremi është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës si i dyshuar.
“Prokuroria Speciale informon se sot, Ridvan Muharremi është paraqitur në Prokurorinë Speciale, me ftesë të kësaj Prokurorie. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit për një çështje penale, të cilën kjo Prokurori e ka në hetim.”- thuhet në njoftimin e PSRK-së.
|