schema:text
| - Rrena se vetura me targa të Kosovës nxjerrë nga rruga një automjet tjetër në Berlin
Deklarata
Ngjarja që është bërë virale në rrjet ka ndodhur në rrugën Berliner, në kryeqytetin gjerman. Shumë gjermanë kanë bërë thirrje kundër lejimit të emigrantëve në Gjermani pas kësaj videoje dhe kanë kërkuar gjobitjen dhe dëbimin e shqiptarit me Audi. Nuk dihen arsyet pse ky veprim është kryer nga shqiptari me mjetin luksoz
Vlerësimi
Rrenë
Mbishkrimi i videos së një aksidenti- “Ngjarja që është bërë virale në rrjet ka ndodhur në rrugën Berliner, në kryeqytetin gjerman. Shumë gjermanë kanë bërë thirrje kundër lejimit të emigrantëve në Gjermani pas kësaj videoje dhe kanë kërkuar gjobitjen dhe dëbimin e shqiptarit me Audi. Nuk dihen arsyet pse ky veprim është kryer nga shqiptari me mjetin luksoz”- është i rremë. Në video nuk shihet një veturë me targa të Kosoës, pasi në Kosovë targat janë me akronimin “RKS”. Vetura që shihet në video është me targa të Austrisë dhe për të njëjtin aksident kanë raportuar disa media gjermane.
Artikulli
Më 20.09.2024 faqja në Facebook ‘JOQ News’ (arkiva & arkiva & arkiva) ka publikuar një video me titullin “Audi me targa të Kosovës nxjerr nga rruga Benzin dhe e hedh në rrugën e tramvajës!”.
“Ngjarja që është bërë virale në rrjet ka ndodhur në rrugën Berliner, në kryeqytetin gjerman. Shumë gjermanë kanë bërë thirrje kundër lejimit të emigrantëve në Gjermani pas kësaj videoje dhe kanë kërkuar gjobitjen dhe dëbimin e shqiptarit me Audi. Nuk dihen arsyet pse ky veprim është kryer nga shqiptari me mjetin luksoz”- thuhet në postim.
Krypometër përmes kërkimit të fotografisë në Google Lens, ka gjetur se video i përket një ngjarjeje që ka ndodhur në qershor të vitit 2024.
Më 22.06.2024, mediumi gjerman bz-berlin.de raportoi se automjeti me targa të Berlinit po ecte normalisht në korsinë e majtë, përderisa një veturë Audi, siç thuhet nga mediumi “me targa të huaja” afrohet me shpëjtësi dhe e shtyen Mercedesin në binarët e tramvajit.
Mediumi berlin-live.de raporton se Sindikata e Policisë gjermane ka thënë se janë tronditur nga fakti se “sa shumë njerëzit shpërfillin parimin e parë të rregullave tona të trafikut rrugor dhe e vënë veten dhe të tjerët në rrezik masiv me automjetet e tyre.”
Pas kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur se vetura Audi, kishte targa të Austrisë, përkatësisht të qytetit “Krems an der Donau”. Qyteti në fjalë ka targat me shkronjat KS, të njëjta siç shihet edhe në materialin e publikuar nga faqja ‘JOQ News’.
Pronarët e automjeteve në Kosovë kanë targa me shkronjat RKS, pasi nga muaji shtator i vitit 2021 ishin larguar nga qarkullimi targat KS të cilat ishin në shfrytëzim që nga viti 2001.
“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”- thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Brendshëm, të datës 20.09.2021.
|