schema:text
| - Kryqi i Kuq i Kosovës nuk shpërndan ilaçe për diabet
Deklarata
Fondacioni i Kryqit të Kuq për Diabet: Cdo diabetik që do të bëjë kërkesë sot do të marrë ndihmë nga Kryqi i Kuq
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Fondacioni i Kryqit të Kuq për Diabet: Cdo diabetik që do të bëjë kërkesë sot do të marrë ndihmë nga Kryqi i Kuq” është i rremë. Në këtë postim është përdorë një fotografi e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që është realizuar në Ukrainë në vitin 2022 dhe rrejshëm është prezantuar si fotografi që tregon momentin e shpërndarjes së ilaçeve në Kosovë. Kryqi i Kuq i Kosovës ka thënë se është keqpërdorë llogoja e tyre dhe se ata nuk shpërndajnë ilaçe e as nuk i shesin ato. Në një postim në Facebook, Kryqi i Kuq i Kosovës ka thënë se postimet se gjoja ata janë duke shpërndarë ilaqe për diabetikë janë të rremë. Krypometër ka verifikuar se në këtë artikull janë përdorë emra fiktivë të mjekëve, si dhe fotografitë e një mjeke turke, duke i prezantuar me emra tjerë.
Artikulli
Më 13.05.2024 faqja në Facebook ‘Dismal Unequaled’(arkiva) ka publikuar një fotografi të Kryqit të Kuq të Kosovës, në të cilën shkruan: “Fondacioni i Kryqit të Kuq për Diabet: Cdo diabetik që do të bëjë kërkesë sot do të marrë ndihmë nga Kryqi i Kuq”.
Përmes këtij postimi është pretenduar se Kryqi i Kuq është duke shpërndarë ilaçe për diabetikë në Kosovë, por Krypometër ka gjetur se një gjë e tillë është e rreme.
Në këtë postim është përdorë një fotografi e punëtorëve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, dhe pas kërkimeve në “TinEye” rezulton se e njëjta është realizuar në Ukrainë. Më 16.11.2022, një ekip i Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dërguan ndihma në Kherson.
Më 14.05.2024, Krypometër ka dërguar pyetje tek Organizata “Kryqi i Kuq i Kosovës”, të cilët kanë thënë se do të përgjigjen gjatë ditës. Kryqi i Kuq i Kosovës përmes një statusi në Facebook më 16.05.2024 (arkiva) ka thënë se informacioni që ata janë duke shpërndarë ilaçe për diabet është i rremë.
“Ditët e fundit në rrjetin social Facebook po qarkullon një reklamë me disa imazhe dhe mbishkrime ku aludohet se Kryqi i Kuq po shpërndan medikamente për kurimin e diabetit. Dëshirojmë të sqarojmë të gjithë opinion publik se ky është një informacion i rremë që po përdoret për qëllime të përfitimit financiar dhe një shkelje e rëndë e ‘LIGJI NR. 03/L-180 PËR PËRDORIMIN DHE MBROJTJEN E EMBLEMËS TË KRYQIT TË KUQ, EMBLEMAVE TË TJERA DALLUESE DHE SINJALEVE”- thuhet në postimin e Kryqit të Kuq të Kosovës.
Tutje në postimin e tyre, Kryqi i Kuq i Kosovës ka thënë se nuk shesin medikamente.
“Sqarojmë edhe një herë qytetarët se Kryqi i Kuq i Kosovës nuk shpërndan medikamente. Për më tepër ndihmat humanitare nuk shiten, por ato u dhurohen njerëzve më në nevojë dhe ky është një proces që kryhet në bashkëpunim me autoritet qendrore dhe lokale”- thuhet në postimin e Kryqit të Kuq të Kosovës.
Artikull i njëjtë është shpërndarë edhe nga një faqe tjëtër në Facebook, Attitude of Influence (arkiva). Krypometër, përmes kërkimeve në Yandex, ka gjetur se fotografia e përdorur në këtë postim është marrë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Artikull i njëjtë është publikuar edhe në faqen e internetit ‘al7.diefiltertea.info’ (arkiva), me titull: “Më 13.05.2024 u mor vendimi për ndarjen e kuotës për trajtimin e diabetit”.
Artikulli kinse citon Ajsha Krasta si Profesoreshë e Departamentit të Endokrinologjisë, e cila është e ilustruar edhe me një fotografi.
Krypometri, përmes kërkimit në yandex.com, ka verifikuar se në fotografi nuk është Ajsha Krasta, si është thënë në artikull por është Meltem Goreli, mjeke turke.
Në artikull rekomandohet çaj ‘Diatea”, i cili pretendohet se shëron diabetin.
Krypometri ka kërkuar në listën e produkteve që kanë autorizim marketingu dhe që është e publikuar në ueb-faqen e Agjencisë kosovare për produkte dhe pajisje medicinale, dhe ka gjetur se nuk figuron një ilaç i tillë.
Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale është institucion i cili rregullon shitjen dhe importin e ilaçeve në Kosovë.
Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
|