schema:text
| - Lajmi i vjetër për vdekjen e katër shqiptarëve në vendin e punës në Gjermani
Deklarata
Albert Zorba 31 vjeç nga Elbasani është njëri prej viktimave që humbi jetën tragjikisht në kantierin e ndërtimit në Hamburg mëngjesin e të hënës
Vlerësimi
Me kos
Lajmi i publikuar më 10.03.2024 se “Albert Zorba 31 vjeç nga Elbasani është njëri prej viktimave që humbi jetën tragjikisht në kantierin e ndërtimit në Hamburg mëngjesin e të hënës” është i rremë, pasi në javën e parë të muajit mars 2024 nuk ka vdekur personi në fjalë. Albert Zorba ka vdekur në një incident në vendin e punës në Gjermani që ka ndodhur më 30.10.2023. Rasti është konfirmuar edhe nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin.
Artikulli
Më 10.03.2024 faqja në Facebook ‘Livenews10.com’ (arkive) publikoi një lajm me titull “Ky është punëtori shqiptar që humbi jetën pasi ra nga skelja në Gjermani” (arkiva), të cilit i është bashkëngjitur edhe fotoja e një punëtori të ndërtimtarisë.
Sipas të dhënave të Facebook-ut, ky postim është parë nga 8,400 persona, ndërsa është publikuar edhe në disa faqe të tjera në Facebook, si: Lajme Shqip (arkiva), Lajme nga Bota (arkiva), Portali Press (arkiva), Info Shqip24 (arkiva), Revista Javore (arkiva), TV7 Media (arkiva), Gazeta TIME (arkiva).
“Albert Zorba 31 vjeç nga Elbasani është njëri prej viktimave që humbi jetën tragjikisht në kantierin e ndërtimit në Hamburg mëngjesin e të hënës”- thuhet në artikullin e publikuar në faqen “Live News”, më 10.03.2024.
Krypometër, nuk ka arritur të gjejë ndonjë lajm të publikuar në mediat e Shqipërisë apo të Gjermanisë për incidentin në vendin e punës me pasojë vdekjen e qytetarit nga Elbasani.
Përmes kërkimeve në internet, Krypometër ka gjetur se lajmi i publikuar më 10.03.2024 është i vjetër pasi si i tillë fillimisht ishte raportuar (arkiva) më 01.11.2023.
“Identifikohet njëri nga shqiptarët që vdiq në kantierit në Hamburg të Gjermanisë”- kishte qenë titulli i lajmit të publikuar nga Klan Kosova, më 01.11.2023.
Në lajmet e publikuara në fillim të muajit nëntor 2023, thuhet se Albert Zorba, 31 vjeç, nga Elbasani humbi jetën tragjikisht në kantierin e ndërtimit në Hamburg.
Krypometër, përmes kërkimeve në internet për inicidentin që ka ndodhur në Gjermani, ka gjetur se më 30.10.2023, BBC (arkive) kishte raportuar se 3 persona kanë vdekur në një kantier ndërtimi në Hamburg të Gjermanisë. Për të njëjtin lajm kishte raportuar edhe Sky News dhe Euronews Albania.
Lajmin për vdekjen e Albert Zorbas dhe tre shqiptarëve tjerë në incidentin në Gjermani e kishte konfirmuar edhe njëri prej familjarëve, në një intervistë dhënë për portalin noa.al.
Vdekja e katër shqiptarëve në incidentin në Gjermani, duke përfshirë Albert Zorban e kishte konfirmuar edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin.
“Pas tragjedisë së ndodhur në datën 30 tetor në kantierin e ndërtimit “HafenCity” të qytetit të Hamburg-ut, sot dhamë përcjelljen e fundit drejt atdheut të ndjerëve: Redon Hebeja, Astrit Xheka, Ruzhdi Hoxha, Albert Zorba. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin shpreh dhe një herë ngushëllimet e përzemërta familjarëve të të ndjerëve. Rroftë përherë kujtimi i tyre”- kishte shkruar Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin në një postim në Facebook, më 08.11.2023.
|