schema:text
| - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kurti nuk e mban premtimin e dhënë për ministra pa aktakuza
Deklarata
Albin Kurti (04.02.2021) – “Jo, nuk do të kemi ministra me aktakuza”
Vlerësimi
Rrenë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka mbajtur premtimin të cilin e ka dhënë gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit. Edhe pse ishte zotuar që kabineti i tij nuk do të kishte njerëz me aktakuza, Kurti vazhdon ta ketë në kabinet, Liburn Aliun, i cili ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare derisa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Edhe pse aktakuza ndaj Aliut ishte ngritur në korrik të vitit 2020, publikimi i saj ishte bërë vetëm pasi i njëjti ishte emëruar ministër në qeverinë Kurti II. Gjykata Themelore në muajin qershor të vitit 2020 i kishte hedhur poshtë akuzat ndaj Aliut, mirëpo Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Themelores dhe e ka kthy rastin në rivendosje.
Artikulli
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore ishte zotuar se kabineti qeveritar nuk do të ketë njerëz me aktakuza.
Këtë zotim Kurti e kishte dhënë në “DebatPernime” përballë Jeta Xharrës.
“Jo, nuk do të kemi ministra me aktakuza”, ishte përgjigjur prerazi Kurti më 4 shkurt.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica – Xhelili, në “DebatPernime”, ku është diskutuar për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionin e ka dhënë zotimin e njëjtë me Kurtin.
“Jo”, është përgjigjur shumë shkurt Kica – Xhelili kur është pyetur nëse Qeveria Kurti do të ketë ministra me aktakuza.
Pjesë e Qeverisë Kurti 2 është edhe Liburn Aliu, si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Atij i është besuar posti i ministrit edhe pse ndaj tij më 24 korrik të vitit 2020 ishte ngritur akzakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Edhe pse aktakuza ndaj Aliut ishte ngritur në korrik të vitit 2020, publikimi i saj ishte bërë vetëm pasi i njëjti ishte emëruar ministër në qeverinë Kurti II.
Në qershor të këtij viti aktakuza për keqpërdorim të detyrës ndaj Liburn Aliut dhe zyrtarëve të tjerë është hedhur poshtë nga Gjykata e Prishtinës.
Rreth dy muaj pasi që Gjykata e Prishtinës e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj ministrit Liburn Aliu dhe të tjerëve, Gjykata e Apelit e ka anuluar këtë vendim dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje edhe njëherë në Gjykatën Themelore.
Përmes një njoftimi për media, Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka aprovuar ankesën e Prokurorisë.
“Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në çështjen penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje“, thuhet në njoftimin e Apelit.
Në njoftimin e Apelit thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së Prokurorië Themelore në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, është vlerësuar se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.
Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu, ka thënë se nuk do të jep dorëheqje nga pozita e tij edhe nëse aktakuza do të vërtetohet nga Gjykata.
“Unë jam i gatshëm kurdoherë që ta pranoj shkarkimin tim, por për këtë aktakuzë unë nuk jap dorëheqje. Ajo çka ka ndodh në Prishtinë është krim të cilin e kam luftu dhe vazhdoj me luftu. Kur të luftosh të godasin”, ka thënë Aliu. “Burimi i aktakuzës sime, krejt sulmet e përditshme që na bëhen neve kanë të bëjnë me lëndët që i qojmë në prokurori dhe i hetojmë për ditë.”
Ai ka thënë se ende nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore për të hedhë poshtë aktakuzën kundër Aliut.
“Nuk më ka ardh ende vendimi i shkruar po besoj që e marr shpejt por pak a shumë e kuptoj është e njëjta ripërtypje dhe rikthim i të njëjtës situatë. Është kthyer mbrapsht për fatin se gjykatësi nuk i ka specifiku rastet veç e veç ne veç kemi qenë grup ka qenë si duket më e përgjithësuar ajo me aq sa pash prej mediav që për mua është arsyetim teknik”, ka thënë Aliu.
KALLXO.com, ka provuar më 4 gusht të kontaktojë me deputeten Kica Xhelili, për të ditur se cili është qëndrimi i saj tash, dhe a ka ndryshuar diçka, por nuk kemi arritur të marrim përgjigje deri në publikimin e artikullit.
|