schema:text
| - Keqpërdorimi i llogos së Top Channel për të shitur barna të dyshimta
Deklarata
“Më duhej operacion për kyçet, por kjo metodë natyrale më shpëtoi nga bisturia!
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli i shpërndarë me titullin “Më duhej operacion për kyçet, por kjo metodë natyrale më shpëtoi nga bisturia!”- është i rremë. Ky artikull është publikuar në një faqe të internetit e cila është imitim i portalit Top-Channel.tv. Drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari ka thënë se lajmi i publikuar në faqen ‘aifutureslab.com’ (arkiva) është i rremë dhe është shfrytëzuar llogoja e këtij televizioni. Në këtë faqe është rekomanduar përdorimi i një produkti që nuk ka Autorizim të Marketingut për t’u shitur në Kosovë. Specialistët thonë se sëmundjet që i dëmtojnë nyjet nuk mund të shërohen me produkte të tilla.
Artikulli
Më 28.10.2024 faqja në Facebook ‘BGT Company’ (arkiva) ka publikuar një informacion që pretendon se është gjetur formula për shërimin e nyjeve pa operim.
“Më duhej operacion për kyçet, por kjo metodë natyrale më shpëtoi nga bisturia!”- shkruan në infografikën e publikuar nga kjo faqe.
Nëse klikohet ky postim, i njëjti të dërgon te një artikull i publikuar në faqen e internetit ‘aifutureslab.com’ (arkiva) me titull “Martin Ademi: Historia se si nje pensionist ia arriti ta heqi qafe artrozën dhe osteokondrozen ne nje muaj?”.
Ueb faqja aifutureslab.com (arkiva) ka llogon dhe pamjen e portalit të Top Channel, media në Shqipëri.
Krypometri ka kërkuar në ueb-faqen e Top Channel, por nuk ka gjetur një artikull të tillë.
Gjithashtu, për të verifikuar edhe më tej, Krypometri ka folur me drejtorin e informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari.
Ai ka thënë për Krypometër se lajmi i publikuar nga ueb-faqja aifutureslab.com (arkiva) nuk ka të bëjë me Top Channel.
“Pa dyshim që është fake, Është shfrytëzuar llogoja jonë dhe është bërë ai lajm reklamë, nuk bën Top Channel këso lajme”- ka thënë Rakipllari.
Në këtë artikull të publikuar në faqen ‘aifutureslab.com’ (arkiva) pretendohet se një person e ka treguar historinë e tij se si kishte probleme me nyje dhe mjekët i kishin rekomanduar operim dhe vendosje të protezave.
“Doktori me tha se me shume mundesi do te me duhej te beja nje nderhyrje kirurgjikale per te zevendesuar kupen e gjurit me nje proteze”- citohet të ketë thënë personi i intervistuar.
Tutje në artikull thuhet se personi në fjalë duke përdorur ilaçin “Flexiwell” e ka shmangur operacionin dhe “pas një muaji përdorimi ishte përsëri në këmbë”.
Krypometri ka kërkuar edhe tek lista e barnave që kanë autorizim marketingu në Kosovë, nëse i njëjti është i lejuar për t`u shitur dhe tregtuar në Kosovë.
Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë rezulton se produkti “Flexiwell” nuk është në listën e produkteve medicinale me autorizim marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.
Krypometër ka biseduar me reumatologun Besim Demolli, për të parë nëse një produkt i tillë mund të shërojë të gjitha sëmundjet që përmenden në shkrimin e publikuar nga faqja.
Demolli ka thënë për Krypometër se osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme.
“Trajtimi për këto sëmundje fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës”– tha Demolli për Krypometër.
Demolli ka thënë se këto sëmundje nuk mund të shërohen me suplemente. Ai ka thënë se personat që kanë sëmundje të tilla duhet të konsultohen me profesionistë.
“Suplementet, veçanërisht ato të reklamuara si kurative ose si zgjidhje mrekullibërëse, shpesh mund të jenë objekt i marketingut të tepruar dhe mund të japin premtime të pasigurta. Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit.”- tha tutje reumatologu Demolli për Krypometër.
Ortopedi Zukë Xani ka thënë se trajtimi i nyjeve të dëmtuara në disa raste duhet të bëhet edhe me operacion.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik, pra gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja”- tha Xani për Krypometër.
|