schema:text
| - Nuk ka sigurim të ri pensional në Kosovë
Deklarata
“Sigurimi i ri pensional është këtu! Si ka ndryshuar fondi juaj i pensioneve? Klikoni për të parë”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Sigurimi i ri pensional është këtu! Si ka ndryshuar fondi juaj i pensioneve? Klikoni për të parë”- është i rremë. Në Kosovë nuk ka ndryshim të skemës pensionale dhe as Sigurim të ri pensional. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim apo miratuar ndonjë ligj të ri që parasheh sigurim të ri pensional. Zëdhënësi i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), Jeton Ademi ka thënë se postimi i bërë në Facebook është i rremë, pasi nuk ka ndryshim të sistemit pensional.
Artikulli
Më 09.09.2024 faqja në Facebook “Course Training” (arkiva) ka publikuar një infografikë për ndryshimin e fondit pensional, në të cilin thuhet “Sigurimi i ri pensional është këtu! Si ka ndryshuar fondi juaj i pensioneve? Klikoni për të parë”.
Kjo infografikë është shpërndarë në Facebook me mbishkrimin “Sa pension do të marr?”.
Kur klikon mbi këtë infografikë, linku të dërgon tek ueb-faqja ‘pensioninvestment102.life’ (arkiva), por që s’ka asnjë informacion lidhur me fondin pensional siç paralajmërohet në faqen në Facebook, Course Training (arkiva).
Krypometër e ka kontrolluar domenin pensioninvestment102.life në Whois.com, faqe që tregon kohën e regjistrimit të domenit dhe eventualisht edhe pronarin e domenit.
Në Whois.com thuhet se pensioninvestment102.life është regjistruar më 09.09.2024, në ditën kur është bërë postimi në faqen në Facebook “Course Training” (arkiva).
Për ta verifikuar këtë pretendim, Krypometri ka kontaktuar me zyrtarë të Trustit (Fondit Pensional të Republikës së Kosovës), të cilët e kanë demantuar këtë lajm, duke thënë se ky publikim nuk është nga ky institucion.
“Lajmin që na e keni dërguar në link (si postim në Facebook) nuk është publikuar nga Trusti dhe nuk kemi asnjë lidhje me të. Rrjedhimisht është i pavërtetë”- ka thënë Jeton Demi nga Trust-i për Krypometër.
Pensionet në Kosovë
Pensionistët e Kosovës që kishin punuar para vitit 1999 kanë paguar kontributet pensionale, megjithatë pas luftës ata nuk i kanë marrë pensionet bazuar në kontributet pensionale që kishin paguar ndër vite.
Serbia nuk e kishte kthyer në Kosovë sasinë e parave që pensionistët nga Kosova kishin kontribuar në Fondin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të ish-Republikës së Jugosllavisë.
Për pasojë, pensionistët e Kosovës për vite të tëra janë paguar vetëm nga buxheti i Republikës së Kosovës për pensionet bazike të pleqërisë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin korrik të vitit 2024 ishin 149,504 pensionistë që kishin marrë vetëm pensione bazike të moshës, që aktualisht është 100 euro në muaj.
Sot janë 48,314 pensionistë që marrin nga 198 euro e deri në 260 euro pensione kontributdhënëse, në varësi të shkollimit që kanë.
Përveç këtyre, pensionistët që kanë punuar pas vitit 2002 dhe që kanë kontribute në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), i marrin edhe mjetet që ata i kanë kursyer gjatë kësaj kohe.
FKPK, ose siç njihet ndryshe Trusti, është krijuar bazuar në ligj dhe sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribues kursen për pension në një llogari personale. FKPK-ja është themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.
Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe aktivitet kryesor ka mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës.
Fondi i Kursimeve mbushet nga pagesat e obligueshme pensionale që janë 10% e pagës së të punësuarit, prej të cilave 5% paguhen nga punëdhënësi e 5% nga punëtori.
Krypometër ka biseduar me kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi. Ai ka thënë se nuk ka ndryshim të sistemit pensional në Kosovë, mirëpo ata janë duke kërkuar rritje të pensioneve nga Qeveria e Kosovë.
“Ne kemi kërkuar shumë herë rritje të pensioneve, por nuk na kanë kthyer asnjëherë përgjigje”- ka thënë Gashi për Krypometër.
|