schema:text
| - Njoftimi i rremë për kurse profesionale për shëndetësi e teknologji informative
Deklarata
Kurse falas online në Kosovë që mbulojnë një gamë të gjerë fushash dhe industrish si teknologjia, shëndetësia, biznesi, gjuhët e huaja dhe më shumë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me mbishkrimin: “Kurse falas online në Kosovë që mbulojnë një gamë të gjerë fushash dhe industrish si teknologjia, shëndetësia, biznesi, gjuhët e huaja dhe më shumë”- është i rremë. Në këtë postim mungojnë të dhënat bazike për qytetarët që janë të interesuar për kurse. Në postim është përdorur llogoja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, mirëpo ata kanë thënë për Krypometër që nuk organizojnë kurse. Edhe Agjencia e Punësimit që menaxhon 8 Qendra të Aftësimit Profesional dhe 34 Zyre të Punësimit kanë thënë se njoftimi për kurse nuk është publikuar nga ana e tyre.
Artikulli
Më 22.09.2024 faqja në Facebook ‘Juan Koda Nehemiah’ (arkiva) ka publikuar një informacion rreth kurseve online.
“Kurse online falas në Kosovë”- shkruan në titullin e këtij artikulli, ndërsa i është bashkangjitur edhe një infografikë me stemën e Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës ofron kurse online falas, të hapura për personat e moshës 18-65 vjeç! Certifikatat dhe mundësitë e punës në dispozicion”- shkruan në këtë infografikë duke iu referuar Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Ky artikull të dërgon tek uebfaqja buzznewfeeds.com (arkiva), me titull “Kurse Online Falas në Kosovë”.
“Në Kosovë, kurset online falas ofrojnë mundësi të shkëlqyera për këdo që dëshiron të mësojë diçka të re. Këto kurse janë të hapura për të gjithë, pavarësisht nga mosha apo përvoja, dhe mbulojnë një gamë të gjerë fushash dhe industri, si teknologjia, shëndetësia, biznesi, gjuhët e huaja, dhe më shumë”- shkruan në këtë artikull.
Në këtë artikull janë të renditura disa opsione: ‘Edukim në distancë, MBA’; Kurse online me certifikata dhe Kurse anglisht, etj`.
Nëse klikoni opsionin e parë linku të dërgon te një faqe e cila nuk ka të bëjë asgjë me njoftimin për kurset apo për edukim nga distanca.
Një artikull i njëjtë është publikuar edhe në faqen në Facebook, Miamagic-02 (arkiva), me titull “Kurse falas online në Kosovë që mbulojnë një gamë të gjerë fushash dhe industrish si teknologjia, shëndetësia, biznesi, gjuhët e huaja dhe më shumë”.
Kur klikoni mbi këtë lajm të dërgon tek faqja buzznewfeeds.com (arkiva), përkundër që janë të renditura disa opsione si në postimin e parë, nuk ka ndonjë informacion (arkiva) tjetër rreth kurseve online.
Krypometri fillimisht ka kërkuar në uebfaqen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nëse e njëjta ka publikuar ndonjë njoftim lidhur me këto kurse online, por nuk ka gjetur diçka të tillë.
Më pas, Krypometër ka kërkuar një përgjigje nga MASHTI, por ata kanë thënë se nuk kanë publikuar ndonjë njoftim për kurse online. Në përgjigjen e MASHTI-t thuhet se do të denoncojnë secilin postim që e keqpërdorë llogon e këtij institucioni.
Krypometri për këtë ka pyetur edhe Agjencinë e Punësimit e cila menaxhon 8 Qendra të Aftësimit Profesional, lidhur me këtë postim.
APRK ka thënë se ky lajm nuk u përket atyre.
“Mund të konfirmojë që ky lajm nuk është i joni. Agjencia e Punësimit e Republikën së Kosovës (APRK) menaxhon 34 Zyra të Punësimit dhe 8 Qendra të Aftësimit Profesional (QAP) të cilat janë institucione publike dhe po ashtu të gjitha shërbimet në këto Qendra janë falas. Qendrat për Aftësim Profesional janë edhe të Akredituara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve”- thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Çfarë thotë ligji?
Në Ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë askund nuk ceket se MASHTI obligohet që të ofrojë kurse falas.
Krypometri ka kontrolluar edhe Ligjin për organizimin dhe menaxhimin e arsimit dhe aftësimit parauniversitar, përkatësisht nenin 5 mbi detyrat e ministrisë.
“Ministria mban përgjegjësinë kryesore për planifikimin, caktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar, si dhe ka detyrat e përgjithshme që të zhvillojë politika, hartojë dhe zbatojë legjislacionin për zhvillimin e arsimit dhe aftësimit parauniversitar, etj”- thuhet në këtë nen, në paragrafin e parë, por askund nuk përmendet që MASHTI obligohet të ofrojë kurse falas për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Neni 12, i cili është për dispozitat specifike për arsimin dhe aftësimin e të rriturve, thot se të rriturit mund të arsimohen ose aftësohen në institucionet e licencuara private, publike dhe të partneritetit të niveleve 3 dhe 4 të ISCED-it, sipas dispozitave të këtij ligji, me ndryshimet në vijim të cilat specifikohen në një akt nënligjor ndër ta është edhe caktimi i pagesave për vijim dhe kriteret e pranimit.
|