schema:text
| - Huqja e pozitës që mbante Burim Ramadani në AKI
Deklarata
Burim Ramadani kryespiuni
Vlerësimi
Rrenë
Në videon me titullin: “A po e financon Kosova, Radoiçiqin përmes Listës Serbe?” është raportuar gabimisht se Burim Ramadani ishte kryespiuni i Kosovës. Referimi për kryespiunin bëhet për drejtorin e AKI-së, i cili në bazë të Ligjit për AKI-në ka përgjegjësi për menaxhimin e këtij institucioni dhe i përgjigjet kryeministrit të Kosovës. Ramadani ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, që në bazë të ligjit ka përgjegjësi për kontroll të brendshëm të AKI-së. Ramadani në postimin e tij nuk e përmend Millan Radoiçiqin, të dyshuarin kryesor për sulmin në Banjskë.
Artikulli
Më 24 janar 2024 faqja në Facebook me emrin “Shënjestër.net” ka publikuar një video me mbishkrimin “A po e financon Kosova, Radoiçiqin përmes Listës Serbe?”.
Në këtë video, një person flet për rastin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ndarë buxhetin për partitë politike në Kosovë, duke përfshirë partinë parlamentare, Lista Serbe.
Në video përmendet një reagim që kishte bërë ish-inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Intelgjencë (AKI), Burim Ramadani, por atij i janë referuar si “ish-kryespiuni”.
“Pas sulmit në Banjskë ka pasur shumë kërkesa që kjo parti të shpallet anti-kushtetuese, për shkak të lidhjeve me terrorizëm. Pikërisht për këtë arsye, ish-kryespiuni Burim Ramadani kërkoi nga presidentja Osmani që ta ndalë këtë vendim të KQZ-së. Ai madje u bëri thirrje edhe deputetëve e Qeverisë”– thuhet në këtë video.
Krypometër, përmes kërkimeve në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës ka gjetur se Burim Ramadani ishte emëruar Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, më 25 nëntor 2019. Vendimin për emërimin e tij në këtë pozitë e kishte marrë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Krypometër ka kontaktuar me Burim Ramadanin, i cili ka bërë të ditur se ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së nga nëntori 2019 deri në dhjetor të vitit 2022.
Në nenin 10 të Ligjit për Agjencinë Kosovare për Inteligjencës janë përcaktuar përgjegjësitë e inspektorit të përgjithshëm, që kryesisht kanë të bëjnë me funksionimin dhe kontrollin e brendshëm të AKI-së.
“Inspektori i përgjithshëm inspekton aktivitetet e AKI-së. Është përgjegjësi e inspektorit të përgjithshëm të ndihmojë drejtorin të jetë informuar në mënyrë të plotë dhe të vazhdueshme për problemet potenciale në aktivitetet e AKI-së, me qëllim të promovimit të ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit, dhe evitimit të çfarëdo shkeljeje ligjore”- thuhet në pikën 1 dhe 2 të nenin 10.
Ndërsa, përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së, të përcaktuara në nenin 5 të Ligjit për këtë institucion, janë të një natyrës krejt tjetër. Drejtori i AKI-së, përveç tjerash, është përgjegjës për të gjitha aspektet e menaxhimit të AKI-së si dhe i përgjigjet drejtëpërdrejtë kryeministrit dhe njëkohësisht është këshilltar i tij dhe i presidentit të Kosovës.
Në postimin e tij, Ramadani nuk e përmend në asnjë vend Millan Radoiçiqin, të dyshuarin kryesor për sulmin në Banjskë. Ai reagimin e tij e ka bërë për Listën Serbe, e cila është parti parlamentare.
I kontaktuar nga Krypometër, Ramadani ka thënë se reagimi i tij ka qenë rreth vendimit për t’i ndarë mjete financiare partisë Lista Serbe.
“Poenta ime është tek financimi me buxhet të Kosovës për Listën Serbe më pak se 4 muaj pas konstatimit të MPB/Qeverisë së Kosovës se Serbia me Listën Serbe kanë organizuar sulm terrorist. Ministri i Punëve të Brendshme me 26 shtator 2023 ka thënë se me shpalljen e ditëve të zisë, Serbia dhe Lista Serbe kanë vulosur autorësinë e sulmit terrorist në Banjskë”– ka thënë Ramadani për Krypometrin.
|