schema:text
| - Pretendimi i rrejshëm se një produkt rikthen shikimin për 7 ditë
Deklarata
Rikthen shikimit në 7 ditë
Vlerësimi
Me kos
Postimi “Rikthen shikimit në 7 ditë”- është i rremë. Edhe pretendimi tjetër se i njëjti trajton “problemet e shikimit dhe ju lejon të rivendosni shikimin perfekt në çdo distancë. Shikim perfekt në 1 muaj”- nuk është i bazuar në fakte. Oftamologu Ardian Shabani thotë se pretendimi se shikimi rikthehet për 7 ditë është “është absurd” dhe se një gjë e tillë nuk është e mundur. Oftamologu Ermal Dida thotë se zakonisht shikimi i humbur nuk mund të rikthehet. Sipas Didës, në rast se humbja e shikimi ka ardhur për arsye të perdes, atëherë pas operacionit kthehet.
Artikulli
Më 09.08.2024 faqja në Facebook ‘Your Health’(arkiva) ka publikuar një informacion se gjoja një produkt “rikthen shikimit në 7 ditë’.
“Është një ilaç 100% natyral që trajton problemet e shikimit dhe ju lejon të rivendosni shikimin perfekt në çdo distancë. ✅ Shikim perfekt në 1 muaj,✅ Nuk keni më nevojë për syze,✅ Lehtëson tensionin dhe dhimbjen në sy,✅ Mirupafshim miopi, katarakte dhe glaukoma”- thuhet në këtë postim.
Kur klikon mbi këtë lajm të dërgon tek ueb-faqja ocaps.lijyr.com/(arkiva), në të cilën gjendet vetëm produkti që pretendohet se rikthen shikimin në vetëm 7 ditë, e i cili quhet “O Caps” dhe kushton 39 euro.
Krypometri ka kërkuar edhe tek lista e ilaçeve që kanë autorizim marketingu në Kosovë nëse i njëjti është i lejuar për t’u shitur dhe tregtuar në Kosovë, por në listën e produkteve me autorizim marketingu të Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale nuk është “O Caps”.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.
A mund të rikthehet shikimi për vetëm 7 ditë?
Një nga pretendimet e bëra në postimin e faqes ‘Your Health’(arkiva) është se përdorimi i këtij produkti bën që të rikthehet shikimi për vetëm 7 ditë. Krypometër ka biseduar me disa specialistë për të parë nëse është e mundur që secili i verbër të kthejë shikimin për vetëm 7 ditë.
“Kjo gjë është absurde, nuk është e mundur”- ka thënë oftamologu Ardian Shabani kur është pyetur nga Krypometër nëse mund të rikthehet shikimi për vetëm 7 ditë.
Ndërsa oftamologu Ermal Dida ka thënë se zakonisht shikimi i humbur nuk mund të rikthehet.
Ai ka thënë se ka raste kur kthehet shikimi, por vetëm pas operacionit.
“Zakonisht jo, nëse është shikim i humbur nuk kthehet. Nëse humbja është për arsye perde atëherë pas operacionit kthehet, pra e gjitha varet për cilën arsye ka ardhur deri tek humbja e shikimit”- tha Dida, ndërsa ka rekomanduar që të mos përdoren ilaçe për këtë gjë pa rekomandim të mjekut.
“Rekomandimi im është që kursesi të përdoren terapi për sy pa u konsultuar me oftamologë”- shtoi ai.
Kryepometër ka pyetur specialistin e farmacisë klinike, Astrit Haxhijaha, i cili ka thënë se “O Caps” është suplement e jo ilaç.
“O’Caps është supliment apo shtesë ushqimore dhe jo ilaç trajtimi”- thuhet në përgjigjen e Haxhijahës për Krypometër.
|