schema:text
| - Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti gjatë vizitës në çerdhen në ndërtim në Gadime, më 16 nëntor 2021. Foto: Komuna e Lipjanit
Imri Ahmetit e mban fjalën për ndërtimin e çerdhes në Gadime
Deklarata
Çerdhja në Gadime është në ndërtim e sipër. Besoj deri kah fundi i vitit veç përfundon, është në ndërtim. I ka 120 fëmijë
Vlerësimi
E vërtetë
Ndërtimi i çerdhes në Gadime ka përfunduar. Komuna ka thënë se janë porosit kuzhina e inventari dhe pritet që shumë shpejt të funksionalizohet
Artikulli
Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti që nga zgjedhjet e 17 tetorit rimori qeverisjen në mandatin e tretë, ka premtuar se deri në fund të këtij viti do të përfundojë ndërtimi i çerdhes në fshatin Gadime.
Në Debat Përnime gjatë fushatës zgjedhore, Ahmeti pati thënë se çerdhja në atë fshat është në ndërtim e sipër. [Çerdhja në Gadime] Po, është në ndërtim e sipër. Besoj deri kah fundi i vitit veç përfundon, është në ndërtim. I ka 120 fëmijë”, është zotuar ai më 21 shtator të këtij viti në Debat Pernime.
Ndërtimi i çerdhes, sipas Komunës ka përfunduar dhe shumë shpejt do të funksionalizohet.
“Çerdhja në Gadime ka përfunduar, janë porosit kuzhina e inventari, po besojmë shumë shpejt do të funksionalizohet. Punimet tjera kanë përfunduar”, kanë thënë nga Komuna për KALLXO.com më 16 dhjetor.
Javë më parë, Komuna e Lipjanit njoftoi se Ahmeti i ka vizituar punimet në ndërtimin e këtij institucioni parafillor.
“Kryetari Komunës së Lipjanit ka përcjellë punimet që janë bërë në objektin e çerdhes në fshatin Gadime. Me këtë rast kryetari Ahmeti tha se është kënaqësi e veçantë të shohësh këtë infrastrukturë objekte me standarde të larta dhe kushte moderne, i cili do të shërbejë për edukimin e fëmijëve”, thuhej mes tjerash në njoftimin e komunës.
Në shkurt 2021, KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Lipjanit fillimisht e kishte anuluar tenderin për ndërtimin e çerdhes në fshatin Gadime.
Anulimi i aktivitetit të prokurimit është bërë më 2 shkurt të këtij viti, nën arsyetimin, se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Numri i ofertave të pranuara për ndërtimin e çerdhes ka qenë 9 sosh, ndërkaq kriter për dhënien e këtij tenderi ka qenë çmimi më i ulët.
Vlera e parashikuar e kontratës për ndërtimin e objektit të këtij institucioni parashkollor në Gadime ka qenë 250 mijë euro.
Procedura e tenderit ka qenë e hapur, e njoftimi për kontratë ishte publikuar në qershor të vitit 2020. Rreth çështjes, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Lipjanit, duke pyetur për arsyen e anulimit të tenderit, por nuk ka marrë përgjigje asnjëher.
Për çerdhen në Gadime, në Emisionin “Jeta në Komunë”, vitin e kaluar kishte folur kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti.
“Ne e kemi bërë një çerdhe në Lipjan, një tjetër është e kontraktuar në Gadime, pritet me fillu. Në Gadime po e marr si punë që është para përfundimit të të gjitha procedurave, ka qe 4-5 muaj që është e publikuar”, ishte shprehur ai.
|