schema:text
| - Kuvendi Zgjedhor i LDK
Video e manipuluar e Isa Mustafës për mbledhjen e LDK-së
Deklarata
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “LDK-ja mbledhje urgjente, për ta rrezuar Qeverin Kurti sa ma parë që është e mundur!” është i rremë. Krypometër ka verifikuar me burime zyrtare se një mbledhje e tillë e drejtuar nga Isa Mustafa nuk është mbajtur.
Artikulli
Më 15 dhjetor 2023, faqja e Facebook-ut, Diaspora Vetëvendosje (arkiva), ka publikuar një video- material në të cilin pretendohet se është ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Videoja mban mbishkrimin “LDK-ja mbledhje urgjente, për ta rrezuar Qeverin Kurti sa ma parë që është e mundur!”.
Krypometër ka kontrolluar vërtetësinë e videos duke gjetur se është përdorë një fotografi e portretit të Isa Mustafës, e cila pas përdorimit të AI (Inteligjencës Artificiale) është kthyer në video-material.
Nëse shikohet videoja me kujdes, mund të vërehet se ajo është e manipuluar, pas imazhi dhe lëvizjet nuk janë të sinkronizuara.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.
Ajo ka thënë se LDK nuk ka mbajtur mbledhje të kësaj natyre.
“Ky informacion është i rremë. Nuk kemi pasë një mbledhje të kësaj natyre në LDK. Edhe materiali është një manipulim”- thuhet në përgjigjen e saj për Krypometër me 27 dhjetor 2023.
Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të kësaj partie në shkurt të vitit 2021 pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.
Pas dorëheqjes, Mustafa nuk ka mandat të thërrasë mbledhje urgjente të LDK-së pasi sipas statutit të LDK-së mbledhjet e tilla thirren nga udhëheqësia dhe kryesia aktuale. Prej datës 14 mars 2021, kryetar i LDK-së është Lumir Abdixhiku.
|