schema:text
| - Rrena e Besnik Tahirit për mos-rritjen e pagave
Deklarata
Pagat është suksesi më i madh i Kosovës. Që 20 vjet pagat e Kosovës nuk janë rritë, polici e ka pagën e dyfishuar, mjeku të dyfishuar, secili shërbyes civil e ka të dyfishuar, tri herë ka shkuar prej qeverisë PDK- LDK, LDK- PDK asnjëherë s’ka kalu. Pagat e asamblistëve janë trefishuar, pagat e kryetarëve janë rritur, shërbimi publik është mëshel
Vlerësimi
Rrenë
Pagat që ka marrë një punëtor i sektorit publik është rritur dy herë: njëherë në vitin 2011 dhe herën tjetër në vitin 2014. Në vitin 2011, pagat ishin rritur rreth 50% për punëtorët e arsimit, e rritje kishte edhe në sektorë të tjerë. Rritje të pagave kishte edhe në vitin 2014. Ndërkohë një rritje e pagave ishte bërë edhe nga Qeveria e Isa Mustafës. Rritja ishte bërë duke ua paguar 0.5% për secilin vit të përvojës së punës për punëtorët e sektorit publik. Rritja e pagave është konfirmuar edhe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave.
Artikulli
Kandidati i AAK-së për deputet, Besnik Tahiri tha në Debat Pernime se në periudhë 20 vjecare nuk janë rritur pagat dhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka marrë vendim për rritjen e pagës.
Besnik Tahiri thotë se tani mjekët, policët e shumë të tjerë kanë paga dy tri herë më të mira.
“Pagat është suksesi më i madh i Kosovës. Që 20 vjet pagat e Kosovës nuk janë rritë, polici e ka pagën e dyfishuar, mjeku të dyfishuar, secili shërbyes civil e ka të dyfishuar, tri herë ka shkuar prej qeverisë PDK- LDK, LDK- PDK asnjëherë s’ka kalu. Pagat e asamblistëve janë trefishuar, pagat e kryetarëve janë rritur, shërbimi publik është mëshel”, ka thënë Tahiri.
Kur është sfiduar nga Jeta Xharra, se pagat janë rritur edhe në të kaluarën, Tahiri ka thënë se pagat në vitin 2011 janë rrit me vendim.
“Janë rritur pagat me vendim në 2011 nuk janë rrit me ligj, ka qenë një vendim por jo për krejt sistemin”, tha Tahiri.
Mëgjithatë, pagat që ka marrë një punëtor i sektorit publik është rritur dy herë: njëherë në vitin 2011 dhe herën tjetër në vitin 2014.
Vendim për ngritjen e pagave, qeveria Thaçi e kishte marrë në nëntor 2010. Ky vendim kishte hyrë në fuqi në janar të vitit 2011 me rritjen e pagave të sektorit publik.
Në vitin 2011, pagat e mësimdhënësve janë rritur për 50 për qind. Edhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës kishin përfituar rritje prej 50 për qind, Policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, zyrtarët doganorë 30 për qind, punëtorët shëndetësorë 30 për qind dhe zjarrkësit 30 për qind.
Po ashtu edhe në vitin 2014 Qeveria kishte rritur pagat e shërbyesve civil për 25%.
“Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars 2014, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që duke filluar nga muaji prill i vitit 2014 të rriten pagat për të gjithë kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga Buxheti i Republikës së Kosovës në nivelin 25% të pagës bazë. Me anë të këtij vendimi Qeveria e Kosovës kishte rritur shpenzimet për paga dhe meditje për afro 93 milion euro”, thuhet në një komunikatë të institutit GAP.
Ndërkohë një rritje e pagave ishte bërë edhe nga Qeveria e Isa Mustafës. Rritja ishte bërë duke ua paguar 0.5% për secilin vit të përvojës së punës për punëtorët e sektorit publik.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Nivelin e Pagave në Kosovë për periudhën 2012-2018”.
Ky publikim përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në sektorin publik, sektorin privat dhe ndërmarrjet publike në Kosovë.
Në të dhënat e ASK-së thuhet se paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8%.
Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 509 euro, një rritje prej 156 eurosh ose 44.1%.
|