schema:text
| - Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj duke nënshkruar kontratën për asfaltimin e rrugës Junik - Jasiq - Gjocaj, 26 tetor 2018, Foto: MI
Dy vjet për rrugën Junik – Gjocaj
Deklarata
Agron Kuçi: Rruga Junik – Gjocaj, ju garantoj që në qershor të vitit të ardhshëm (2018) do të fillojë dhe përfundojë asfaltimi.
Vlerësimi
Me kos
Rruga nga Juniku në Gjocaj ende nuk është përfunduar. Lajmi i mirë është që kontrata është nënshkruar në fund të vitit të kaluar, pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur të financojë mbi 90% të kostos së ndërtimit.
Artikulli
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi ishte treguar shumë optimist për asfaltimin e rrugës Junik – Gjocaj gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2017.
Kuçi kishte premtuar se në qershor të vitit 2018 do të fillonte asfaltimi i rrugës Junik – Gjocaj dhe brenda po të njëjtit vit do të përfundonte.
“Rruga Junik – Gjocaj, ju garantoj që në qershor të vitit të ardhshëm (2018) do të fillojë asfaltimi. (Kur ka me u kry?). Po në këtë vit”, kishte thënë Kuçi përballë Jeta Xharrës në “Debat Përnime”.
Por asfaltimi i rrugës nuk kishte filluar në kohën në të cilën Kuçi kishte premtuar. Kontrata për asfaltimin e rrugës Junik – Gjocaj është nënshkruar më 26 tetor 2018. Vlera e kontratës është 513,958 mijë euro. Përfitues i projektit është operatori ekonomik “Joos & Krasniqi – Bazë”.
Asfaltimi i rrugës Junik – Jasiq – Gjocaj është projekt dy vjeçar, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunë së Junikut. Ministria e Infrastrukturës do të financojë 91% të vlerës së projektit, ndërsa Komuna e Junikut rreth 9% të vlerës së projektit.
Aktiviteti i prokurimit për asfaltimin e rrugës Junik – Jasiq – Gjocaj është iniciuar më 19 mars të vitit 2018. Më 2 prill 2018 është publikuar njoftimi për kontratë.
Më 30 maj të vitit 2018, Komuna e Junikut kishte bërë të ditur se kompania “Lika Trade” ishte shpallur fituese e tenderit për asfaltimin e rrugës.
Mirëpo, ky aktivitet është pezulluar pasi Komuna ka marrë ankesë nga operatori ekonomik “Joos & Krasniqi – Baze” , i cili ka dorëzuar ankesën edhe në OShP.
“Dhe me vendimin e tyre aktiviteti i prokurimit në fjalë është pezulluar deri në një vendim të marrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Junikut.
Me 18 korrik 2018 në faqen zyrtare të OShP-së është publikuar mendimi i ekspertit në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit.
“Duke u bazuar në sqarimet e cekura në ekspertizë, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në mendimin e ekspertit.
Më 1 gusht 2018, Komuna e Junikut e kishte anuluar tenderin pas vendimit të OShP-së.
Pas rivlerësimit të tenderit, më 8 tetor, Komuna e Junikut ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës. Kompania ankuese, “Joos & Krasniqi – Bazë” ishte rekomanduar për kontratë.
Pas rivlerësimit të ofertave, kontrata për asfaltimin e rrugës Junik – Gjocaj është nënshkruar më 26 tetor 2018. Vlera e kontratës është 513,958 mijë euro. Fitues i projektit është operatori ekonomik “Joos & Krasniqi – Bazë”.
Agron Kuçi është zgjedhur për të tretën herë në krye të Komunës së Junikut me rreth 7 mijë banorë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Agron Kuçi është zgjedhur kryetar i Junikut qysh në rundin e parë të zgjedhjeve të zhvilluara me 22 tetor. Kandidati Agron Kuçi ka fituar me 1 mijë e 499 ose 57.88 për qind kundrejt tre kandidatëve të tjerë nga LDK, Vetëvendosje dhe PDK që synonin pozitën e të parit të Junikut.
Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.
Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.
|