Titulli i rremë për të dyshuarin për vrasjen në lokalin “Kobra City”
Deklarata
Hapi i parë drejt lirimit? “Kobra” që vrau kuksianin nxirret nga burgu i sigurisë së lartë
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Hapi i parë drejt lirimit? “Kobra” që vrau kuksianin nxirret nga burgu i sigurisë së lartë” është i rremë. Në artikull nuk tregohet nëse vendimi për transferimin e Dibran Hoxhës nga burgu i Sigurisë së Lartë në burgun e Gjilanit është një hap drejt lirimit. Gjykata ende nuk ka marrë vendim që e cilëson si vrasës Dibran Hoxha. Rasti kundër Hoxhës është në fazën fillestare të hetimit, nuk ka aktakuzë dhe nuk ka vendim fajësues të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me këtë rast.
Artikulli
Më 14 janar 2023 në faqen e internetit “5pyetje.al” është publikuar artikulli me titullin “Hapi i parë drejt lirimit? “Kobra” që vrau kuksianin nxirret nga burgu i sigurisë së lartë”. I njëjti lajm është shpërndarë në Facebook në faqen “Lajm-shqip.al”.
Në artikull nuk tregohet nëse vendimi për transferimin e Dibran Hoxhës nga burgu i Sigurisë së Lartë në burgun e Gjilanit është hap drejt lirimit.
Në artikull tregohet për vendimin që ka marrë gjykata për të transferuar Dibran Hoxhën në burgun e Gjilanit.
Me vendim të Gjykatës, Hoxha është transferuar në burgun e Gjilanit pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Prizrenit, por ky vendim nuk ka të bëjë me lirimin e tij.
Përveç kësaj, Dibran Hoxha i njohur si “Kobra” në titull thuhet se është vrasësi, por ai ende është vetëm i dyshuar për vrasje.
Rasti i Dibran Hoxhës është në fazën fillestare të hetimit, nuk ka aktakuzë dhe nuk ka vendim fajësues të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me këtë rast.