Rrena se Policia e Kosovës bastisi objektin e komunës së Vushtrrisë
Deklarata
Krimet ekonomike zbarkojn përseri në Komunen e Vushtrrisë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi dhe titulli “Krimet ekonomike zbarkojn përseri në Komunen e Vushtrrisë” janë të rreme. Policia e Prokuroria e kanë mohuar te ketë pasur bastisje në objektin e komunës së Vushtrrisë brenda kohës kur flitet në këtë artikull. Edhe komuna e Vushtrrisë, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se në kohën e raportimit nuk janë bastisur zyret e kësaj komune.
Artikulli
Më 19.02.2024 faqja e facebook ‘Vupol’ publikoi një artikull me titull “Krimet ekonomike zbarkojn përseri në Komunen e Vushtrrisë”.
Brenda artikullit thuhet se Policia ka shkuar në objektin e komunës për të hetuar kontratën për projektin e Sheshit Adem Jashari dhe Parkingut Nëntokësor.
“Krimet Ekonomike marrin dokumentet e projektit 2.7 milion euro të parkingut nentokesor ne Vushtrri, po hetohet për fryerje të çmimit. Sipas burimeve te portalit Vupol brenda Komunës së Vushtrrisë, Krimet Ekonomike dhe Prokuroria kanë zbarkuar në Komunën e Vushtrrisë”- thuhet në shkrimin e publikuar në Vupol.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, e cila e ka mohuar se zyrtarët e saj kanë qenë për bastisje në objektin e Komunën e Vushtrrisë.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nuk ka trajtuar ndonjë rast të tillë”- thuhet ne përgjigjen e Policisë në pyetjet rreth raportimit të portalit ‘Vupol’ me titullin “Krimet ekonomike zbarkojn përseri në Komunen e Vushtrrisë” .
Krypometër gjithashtu ka kontaktuar edhe me prokurorinë e Mitrovicës e cila merr autorizime për bastisje në qytetin e Vushtrrisë, të cilët poashtu e kanë mohuar se kanë pasur autorizime për bastisje në objektin e komunës së Vushtrrisë.
“Njoftoheni se sipas të dhënave nga shkrimorja, Prokuroria Themelore e Mitrovicës nuk ka autorizuar Policinë për ndonjë vizitë në Komunën e Vushtrrisë për këtë çështje javën e kaluar”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Mitrovicës.
Krypometër ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Vushtrrisë, të cilët në një përgjigje me email kanë thënë se nuk janë bastisur objektet e komunës.
“Në Komunën e Vushtrrisë nuk ka pasur asnjë bastisje e as kërkesë për të ofruar ndonjë dokument nga Krimet Ekonomike. Ato lajme që kanë qarkulluar janë fake news dhe qëllim të vetëm e kanë dëmtimin dhe pengimin e punëve të mira që janë duke u bërë për qytetarët e Vushtrrisë”- thuhet në përgjigjen me shkrim të komunës së Vushtrrisë.