schema:text
| - Rrena për “pavarësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë”
Deklarata
Qysh nesër Albin Kurti pritet ta nënshkruaj Zajednicen. Pavarsinë e komunave serbe brenda Kosovës
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Konstatimi i bërë në postimin “Qysh nesër Albin Kurti pritet ta nënshkruaj Zajednicen. Pavarsinë e komunave serbe brenda Kosovës”- është i rremë. As marrëveshja e vitit 2013 dhe as ajo e vitit 2015 për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe nuk parasheh pavarësim të këtyre komunave nga Kosova. BE dhe SHBA-ja në vazhdimësi kanë kërkuar që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Kushtetuten e Kosovës.
Artikulli
Më 26 shkurt 2023, faqja e facebook-ut “POLITIKA” ka publikuar një fotografi e cila mban një mbishkrim që lidhet me takimin e sotëm mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Faqja pretendon se Kurti sot do të nënshkruajë ‘Zajednicën’ duke e quajtur atë “Pavarësi të komunave serbe brenda Kosovës”.
“Foto 1 Kosova pa Albin Kurtin Kryeminister. Foto 2 Kosova me Albin Kurtin Kryeminister. Qysh nesër Albin Kurti pritet ta nënshkruaj Zajednicen. Pavarsinë e komunave serbe brenda Kosovës. Albini ka qenë kundeshtesi ma i madh i kësaj marrveshje sa ishte opozitar. Gjitheçka e paska pasë vetëm për pushtet”- thuhet në mbishkrim.
Informacioni që marrëveshja e Zajdenicës nënkupton, pavarësinë e komunave serbe brenda Kosovës është i rremë.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.
Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, paraqet gurthemelin e marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes të dyja palëve, pasi 6 nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.
Marrëveshja jep hollësi të kompetencave që i jepen asociacionit të 10 komunave me shumicë serbe; të ketë “mbikëqyrje” të plotë në sferat e planifikimit rural dhe urban, zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësi, mirëpo askund nuk përmendet “pavarësia e komunave serbe në Kosovë”.
Përveç marrëveshjes bazë të vitit 2013, më 25 gusht 2015, në kohën kur qeveria drejtohej nga Isa Mustafa, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel lidhur me një varg parimesh dhe elementesh kryesore të Asociacionit, të cilat herë do kur duhen përkthyer në tekst statuti.
Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.
Por, në të dy marrëveshjet e nënshkruara, në asnjë pikë nuk thuhet se Asociacioni nënkupton pavarësi të komunave me shumicë serbe nga Kosova. Pavarësia nënkupton kur një pjesë e territorit, me kufi të përcaktuar ndahet nga një territor tjetër dhe e krijon shtetin e tij.
|