| schema:text
| - Video që rrejshëm paraqet si të dehur deputetin dhe ministren
Deklarata
Dimal Basha dhe Albulena Haxhiu duke shkuar në emision në RTK
Vlerësimi
Me kos
Përshkrimi i videos “Dimal Basha dhe Albulena Haxhiu duke shkuar në emision në RTK”- është i rremë. Ndërsa, video e publikuar është e ndryshuar, pasi të njëjtës i janë vendosur fotografia e deputetit Dimal Basha dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për t’i paraqitur ata si të dehur. Në këtë video nuk është deputeti Basha e as ministrja Haxhiu.
Artikulli
Më 30.07.2024 faqja në Facebook “Demokratët” (arkiva 1 dhe 2) ka publikuar një video të një personi të dehur me mbishkrimin “Dimal Basha dhe Albulena Haxhiu duke shkuar në emision në RTK”.
Në pjesën e poshtme të videos është vendosur fotografia e deputetit Dimal Basha si dhe ajo e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Komenti i parë i bërë në këtë postim në Facebook është “kështu si të dehur janë edhe kur të flasin”.
Ndërsa përmes kërkimit të fotografisë nga kjo video në Google Lens, Krypometër ka gjetur se e njëjta video është publikuar shumë herë në internet dhe aty nuk është deputeti Basha e ministrja Haxhiu.
Krypometër ka kontaktuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili ka thënë se këto janë një përshkrim dhe video të rreme.
“Shihet qartë që është manipulim dhe montazhë e lodhtë!”- tha Basha.
Ndërsa Haxhiu tha se as ajo e as deputeti Dimal Basha nuk janë në këtë video.
“Ky postim është i falsifikuar”- shtoi ajo.
Albulena Haxhiu është ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti. Kjo qeveri, një nga premtimet kryesore në fillim të mandatit, kishte reformën në sistemin e drejtësisë, që synonin ta nisnin përmes vetingut. Amandametet që synonin vetingun janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar se tri amandamente të ketij procesi, nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në fillim të muajit gusht 2024, ministrja Haxhiu ka thënë se pakoja e ligjeve që rrjedhë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve në mes të institucioneve të drejtësisë pritet të dërgohet në Kuvend brenda muajit shtator në mënyrë që të përmbyllet Reforma në Drejtësi.
Deputeti Dimal Basha edhe më herët ka qenë pjesë e postimeve të rreme të bëra për të. Krypometër e ka vlerësuar si të ndryshuar një fotografi në të cilën rrejshëm pretendohet se Basha ka marrë pjesë në paradën e organizuar në Berlin.
Fotografia që rrejshme e paraqet deputetin Basha si pjesë të komunitetit LGBTIQ+, është publikuar në kohën kur Kuvendi i Kosovës nuk po arrinë të sigurojë vota të mjaftueshme për të miratuar Kodin e ri Civil, i cili lejon “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”.
Dimal Bashka ka qenë një nga deputetët që e ka përkrahur Kodin e ri Civil.
|