schema:text
| - Pretendimi i rremë se fasulja trajton disa probleme shëndetësore
Deklarata
Mjeket japin urdhër: Hani 1 pjate fasule çdo jave dhe do te trajtoni këto probleme
Vlerësimi
Rrenë
Titulli “Mjeket japin urdhër: Hani 1 pjate fasule çdo jave dhe do te trajtoni këto probleme” është i rremë. Mjekët nuk kanë dhënë urdhër për qytetarët që të konsumojnë fasule. Fasulja ka efekte pozitive në shëndetin e njeriut, mirëpo nuk ka të dhëna shkencore që mjekët kanë thënë se e njëjta shëron sëmundje.
Artikulli
Më 9 nëntor 2023, faqja në Facebook, ‘Arena Shqip’ (Arkiva) ka publikuar një artikull me titull, “Mjeket japin urdhër: Hani 1 pjate fasule çdo jave dhe do te trajtoni këto probleme”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në ueb faqen e internetit ‘kapelajmin.com’ (arkiva).
Në artikull nuk është cituar asnjë mjek i cili urdhëzon që të hahet një pjatë fasule në javë. Në artikull janë përmendur disa efekte pozitive të fasulës në shëndetin e njëriut, por ato nuk e mbështesin konstatimin në titull.
“Fasulet parandalojnë një rritje të shpejtë të glukozës pas një vakti. Fasulet përmbajnë shumicën e aminoacideve esenciale, në kombinim me drithëra. Përveç proteinave, ato ofrojnë një përmbajtje të lartë të hekurit, kaliumit, kalciumit, magnezit dhe zinkut. Po ashtu, janë një burim i mirë i vitaminës B. Përmbajtja e lartë e fibrave është përgjegjës për tretje të mirë’’- shkruan në artikull.
Për të verifikuar këtë lajm, Krypometri ka kontaktuar me specialistin e mjekësisë së përgjithshme, Abdullah Vojvoda.
Ai për Krypometër tha se pretendimet në këtë artikull janë të rreme.
“Ne (mjekët) nuk japim urdhër që qytetarët të hanë pasul”- ka thënë Vojvoda. “Për çdo problem eventual ne si mjekësi e përgjithshme i japim udhëzimin për në klinikat përkatëse. Ne si mjekë shkojmë në bazë të shkencës”- thuhet në përgjigjen e Vojvodës të datës 21/11/2023.
Fevzi Sylejmani, drejtor i QKMF-së në Mitrovicë, ka thënë se nuk ka kurrfarë baze shkencore në këtë postim.
“Ne nuk japim urdhër për të ngrënë pasul, nuk ka kurrfarë evidence shkencore. Non sens”- thuhet në përgjigjen e Sylejmanit të datës 23/11/2023.
|