schema:text
| - Konkursi i rremë për paketues
Deklarata
Ne kemi nevojë për paketues. Paga e lartë + rritje tremujore në dispozicion
Vlerësimi
Rrenë
Postimi në Facebook me mbishkrimin “Ne kemi nevojë për paketues. Paga e lartë + rritje tremujore në dispozicion” është i rremë. Në këtë postim në Facebook dhe as në faqen e internetit e cila është lidhur me këtë postim nuk janë ofruar informatat bazike të një konkursi: emri i punëdhënësit, adresa dhe kontakti i punëdhënësit dhe as lokacioni i vendit të punës. Domeni i faqes në të cilën është publikuar ky konkurs është regjistruar në muajin prill të vitit 2024, ndërsa pronari i saj është sekret.
Artikulli
Më 22.05.2024 faqja në Facebook ‘Work’ center’ (arkiva), ka publikuar një artikull me përshkrimin “Kërkojmë paketues”.
Në këtë postim është vendosur një fotografi e një depoje me disa punëtorë, si dhe të njëjtës i është mbivendosur mbishkrimi “Ne kemi nevojë për paketues. Paga e lartë + rritje tremujore në dispozicion”.
Orari i punës thotë se është nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe prej orës 14:00 deri në ora 17:00.
Përveç kësaj, në këtë fotografi është rekomanduar që për të shikuar pagën për këtë vend të punës, si dhe vendndodhjen e vendit të punës të klikohet në linkun paperpackagingwork.live (arkiva)
Kur klikon në linkun që rekomandohet në këtë postim të dërgon të faqja paperpackagingwork.live (arkiva), në të cilën nuk ka asnjë detaj rreth konkursit, të publikuar në Facebook.
E njëjta faqe pas dy klikimeve në linqet e sugjeruara të dërgon tek faqet tjera që merren me tregtim të materialeve të ndryshme.
Në asnjë prej këtyre faqeve nuk janë dhënë detaje të konkursit, si psh: lokacioni i punës, emri i kompanisë, paga apo ndonjë email kontaktues për dërgim të CV-ve apo ndonjë numër kontaktues apo emri i kompanisë.
Krypometër e ka kontrolluar domenin paperpackagingwork.live në faqen whois.com (arkiva) dhe rezulton se i njëjti ishte regjistruar më 18.04.2024. Bazuar në të dhënat e publikuar në faqen whois.com, pronari final i faqes paperpackagingwork.live është sekret.
Krypometri ka kontrolluar në faqen e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve (arkiva), si dhe në faqen e specializuar për biznese biznesetehapura.com (arkiva), por në asnjërën nuk figuron asnjë biznes me emër Paperpackagingwork.
Krypometër ka kontaktuar me Ardit Krasniqi nga ‘PortalPune’, portali më i madh për rekrutim në Kosovë.
Ai ka thënë se konkurset që ju mungojnë informatat elementare janë mashtruese. Ai ka thënë se është esenciale që në konkurse të vendosen informatat bazike të punëdhënësit, siç është: adresa dhe kontakti, lokacioni i vendit të punës që është shpallur konkursi etj.
“Si punëkërkues në këtë shpalljen që e pashë nuk kisha apliku sepse nuk është bindëse, nuk mundet mu me m’bind dikush veç me qato informata sa i pashë. Nuk e di çka po dojnë me arritë. Nuk është bindëse dhe as s’ja vlen me apliku”- tha Ardit Krasniqi nga ‘PortalPune’.
Krasniqi ka thënë se për të shmangur konkurset e rreme e mashtruese, në PortalPune të gjithë punëdhënësve ju kërkohen të dhënat e biznesit, siç është numri unik i biznesit.
“Ne e kërkojmë atë numër identifikues (pra, numrin unik të biznesit) në mënyrë që me ditë kush po shpallë punë edhe ku është adresa e shpallësit dhe kush është pronari, në mënyrë që mos me manipulu me punëkërkuesit”- ka thënë ai.
|