schema:text
| - Trusti nuk ka njoftuar për rritje të pensioneve
Deklarata
Duke filluar nga korriku 2024, disa pensione moshe do të rriten, pensionistët që kualifikohen duhet të kontrollojnë aplikimet e tyre në kohë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi i bërë në emër të “KPST- Kosovo Pension Savings Trust” (Trusti i Kursimeve Pensionale) me mbishkrimin ‘duke filluar nga korriku 2024, disa pensione moshe do të rriten, pensionistët që kualifikohen duhet të kontrollojnë aplikimet e tyre në kohë’- është i rremë. Faqja që ka publikuar këtë njoftim nuk menaxhohet nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST) dhe të njëjtit e kanë mohuar të kenë publikuar ndonjë njoftim të ngjashëm. Edhe Qeveria e Kosovës ka thënë se njoftimi është i rremë, pasi nuk është marrë ndonjë vendim i tillë si proklamohet në postimin e bërë në faqen ‘Online News’ (arkiva).
Artikulli
Më 12.07.2024 faqja në Facebook ‘Online News’ (arkiva) ka publikuar një njoftim lidhur me rritjen e pensioneve.
Në këtë postim është shpërndarë një infografikë në emër të “KPST- Kosovo Pension Savings Trust” (Trusti i Kursimeve Pensionale).
Aty shkruan se ‘duke filluar nga korriku 2024, disa pensione moshe do të rriten, pensionistët që kualifikohen duhet të kontrollojnë aplikimet e tyre në kohë’.
Krypometër fillimisht ka krahasuar postimin e bërë në emër të Trustit të Kursimeve Pensionale me llogen reale të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST). Bazuar në këtë krahasim rezulton se llogoja e përdorur në postimin e bërë në faqe Online News’ (arkiva) nuk i përket Trustit. Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës ka një faqe zyrtare në Facebook, në të cilën i publikon njoftimet për qytetarët e Kosovës dhe e njëjta nuk ka publikuar asnjë njoftim për rritje të pensioneve.
Kur klikon në njoftimin e publikuar në faqen ‘Online News’ (arkiva) të dërgon tek faqja retirementsavings88.services(arkiva), ueb faqe e cila nuk ka ndonjë informacion shtesë lidhur me njoftimin e faqes në Facebook.
Krypometri ka verifikuar domenin e kësaj ueb faqeje përmes platformës ‘whois.com’(arkiva), e cila është regjistruar më 16.05.2024, ndërsa emri i personit që e ka regjistruar nuk është publik.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kërkuar përgjigje nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST).
Në një përgjigje me shkrim, Trusti kanë thënë ky njoftim është i rremë.
“KPST u krijua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucioni i vetëm i autorizuar për administrimin dhe menaxhimin e aseteve të pensionit, pra kontributet e kursimeve të detyrueshme (dhe vullnetare) të pensioneve të punonjësve në Kosovë. Sa i përket linkut të dërguar, si dhe lajmit të publikuar aty, nuk kanë të bëjnë fare më ne si institucion. Pra, është lajm i rrejshëm”- thuhet në përgjigjen e Trust-it.
Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kjo është dezinformatë.
“Kjo është një fushatë dezinformuese. I ftojmë qytetarët që të kenë kujdes dhe mos të bien pre e dezinformatave dhe mashtrimeve të tilla”- ka thënë Kryeziu për Krypometër.
Ndërsa, në një përgjigje me shkrim, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës kanë thënë se ky informacion i publikuar në Facebook është i rremë.
“BQK ju njofton se vetëm dy institucione ushtrojnë aktivitetin në pensione e ato janë Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) dhe Fondi Slloveno Kosovar i Pensioneve (FSKP). Pra asnjë institucion tjetër nuk është i licencuar nga BQK për ushtrimin e aktivitetit të pensioneve. Rrjedhimisht edhe njoftimi i mëposhtëm është i pasaktë dhe në kuptim të informimit është i dëmshëm për mbrojtjen e interesit të qytetarëve”- thuhet në përgjigjen me shkrim të BQK-së për Krypometër.
Ata kanë thënë se përdorimi i emrit të Trustit është në kundërshtim me ligjin.
“Përdorimi i emërtimeve të ngjashme apo të njëjta me institucionet e licencuara dhe pretendimi për paraqitje në emër të tyre është po ashtu i paligjshëm dhe kërkon përgjigje. Ne veçse e kemi njoftuar Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës mbi bazën e informatës suaj dhe besoj se të njëjtit mund të reagojnë më tutje, sipas vlerësimit të tyre”- thuhet në përgjigjet e Bankës Qendrore të Kosovës.
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK), apo siç nihet ndryshe, Trusti, është institucion publik i pavarur dhe jo-për-profit, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. FKPK është krijuar bazuar në ligj dhe sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribues kursen për pension në një llogari personale.
FKPK-ja është themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.
Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe aktiviteti kryesor ka mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës.
Fondi i Kursimeve mbushet nga pagesat e obligueshme pensionale që janë 10% e pagës së të punësuarit, prej të cilave 5% paguhen nga punëdhënësi e 5% nga punëtori.
|