schema:text
| - Rrena se Dibran Hoxha- Kobra është liruar nga burgu
Deklarata
Dibran Hoxha, Kobra merr dhuratë bishën pas daljes nga bur-gu
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i Videos “Dibran Hoxha, Kobra merr dhuratë bishën pas daljes nga bur-gu” është i rremë. Kujtim Krasniqi, kryetari i trupit Gjykues, ka thënë se Dibran Hoxha vazhdon të mbahet në paraburgim. Krypometër ka kontaktuar edhe me avokatin mbrojtës të të akuzuarit, Floren Latifaj, i cili ka thënë se Hoxha është në paraburgim. Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur më 22.02.2024 e akuzon Dibran Hoxhën për vrasje të rëndë të Visar Cengu nga Kukësi.
Artikulli
Më 29.05.2024, faqja në Facebook “Zhurma Press” (arkiva) ka publikuar një video me përshkrimin “Dibran Hoxha, Kobra merr dhuratë bishën pas daljes nga bur-gu”.
Në video shihet Dibran Hoxha, i njohur për publikun me nofkën “Kobra”, i cili është në masën e paraburgimit si i dyshuar për rastin e vrasjes që ka ndodhur në Prizren, më 03.01.2023.
Krypometër, fillimisht përmes kërkimit të fotografive në “Google Lens” ka gjetur se kjo video ishte publikuar për herë të parë në profilin e Dibran Hoxhës në Tiktok, më 27.07.2022.
Përveç kësaj, Krypometër ka kërkuar përgjigje nga Gjykata nëse i është ndërprerë masa e paraburgimit Dibran Hoxhës.
“Në paraburgim është ai”- ka thënë Kujtim Krasniqi, kryetari i trupit Gjykues në rastin e vrasjes për të cilën i dyshuar është Dibran Hoxha.
Krypometër ka kontaktuar edhe me avokatin mbrojtës të akuzuarit, Floren Latifaj. Latifaj ka thënë se Dibran Hoxha vazhdon të jetë në paraburgim.
Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur më 22.02.2024 e akuzon Dibran Hoxhën për vrasje të rëndë të Visar Cengut nga Kukësi. Vrasja, sipas Prokurorisë, ka ndodhur në afërsi të lokalit të tij “Cobra City” në Prizren, më 03.01.2024.
Ndërkaq, të akuzuarit Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për manipulim me prova.
Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Lidhur me akuzat e Prokurorisë, Hoxha u deklarua plotësisht i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 07.03.2024.
“Absolutisht, për asnjërën hiç! Kisha pas qejf që vetëm njëra prej provave që i ka cekë ajo, figuron dora jeme apo diçka, mos e leni për nesër, qetu jepne të përjetshme”- ishte deklaruar Dibran Hoxhaj gjatë gjykimit.
|