schema:text
| - Foto: Facebook
Rrena për asfaltimin e rrugës Junik – Gjocaj
Deklarata
Agron Kuçi: “Rruga Junik – Gjocaj, ju garantoj që në qershor të vitit të ardhshëm (2018) do të filloj asfaltimi. (Kur ka me u kry?). Po në këtë vit”, kishte thënë Kuçi përballë Jeta Xharrës në “Debat Përnime”.
Vlerësimi
Rrenë
Kryetari i Komunës së Junikut nuk e ka mbajtur fjalën për fillimin e asfaltimit të rrugës Junik- Gjocaj. Ai kishte premtuar se asfaltimi i kësaj rruge do të fillonte në muajin qershor. E në fakt, për këtë rrugë ende nuk janë përfunduar procedurat e prokurimit.
Artikulli
Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi kishte premtuar se në qershor të këtij viti do të fillonte asfaltimi i rrugës Junik – Gjocaj.
“Rruga Junik – Gjocaj, ju garantoj që në qershor të vitit të ardhshëm (2018) do të filloj asfaltimi. (Kur ka me u kry?). Po në këtë vit”, kishte thënë Kuçi përballë Jeta Xharrës në “Debat Përnime”.
Komuna e Junikut ka thënë se aktiviteti i prokurimit me titull, ‘Asfaltimi i rrugës Junik – Jasiq – Gjocaj’, është përmbyllur me datën, 30.05.2018, me ‘Njoftimin për Dhënien e Kontratës dhe shpalljen e fituesit.
Mirëpo, ky aktivitet është pezulluar pasi komuna ka marrë ankesë nga operatori ekonomik “Joos & Krasniqi – Baze” , i cili ka dorëzuar ankesën edhe në OShP.
“Dhe me vendimin e tyre aktiviteti i prokurimit në fjalë është pezulluar deri në një vendim të marrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit”, thuhet në përgjigjen e komunës së Junikut.
Me 18 korrik në faqen zyrtare të OShP-së është publikuar mendimi i ekspertit në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit.
“Duke u bazuar në sqarimet e cekura në ekspertizë, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në mendimin e ekspertit.
Agron Kuçi është zgjedhur për të tretën herë në krye të komunës së Junikut me rreth 7 mijë banorë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Agron Kuçi është zgjedhur kryetar i Junikut qysh në raundin e parë të zgjedhjeve të zhvilluara me 22 tetor. Kandidati Agron Kuçi ka fituar me 1 mijë e 499 ose 57.88 për qind kundrejt tre kandidatëve të tjerë nga LDK, Vetëvendosje dhe PDK që synonin pozitën e të parit të Junikut.
|