schema:text
| - Oferta mashtruese për kredi që synojnë t’i vjedhin qytetarëve nga 127 euro
Deklarata
Ne ju mbështesim me Oferta të favorshme dhe të personalizuara; Kushtet e pamposhtur; Mbështetje e shpejtë dhe e sigurt. Bëni hapin e parë drejt qëllimeve tuaja sot. Kënaqësia juaj është prioriteti ynë
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi “Ne ju mbështesim me Oferta të favorshme dhe të personalizuara; Kushtet e pamposhtur; Mbështetje e shpejtë dhe e sigurt. Bëni hapin e parë drejt qëllimeve tuaja sot. Kënaqësia juaj është prioriteti ynë”. Pretendimet e kësaj faqeje se ofrojnë kredi me vetëm 2% kamatë është i rremë, pasi niveli mesatar i interesit në kredi që lëshohet nga Bankat në Kosovë është rreth 6%. BQK thot se nuk ka bankë të licensuar me emrin Express Professional Credits.
Artikulli
Më 22.01.2025, faqja në Facebook Express Professional Credits (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi.
“Keni një projekt në mendje apo një nevojë urgjente financiare? Mos i lini ambiciet tuaja të presin. Zbuloni zgjidhje financiare fleksibël të përshtatura për nevojat tuaja”- thuhet në titullin e këtij postimi.
Tutje pretendohet se ata ofrojnë kredi me kushte të favorshme.
“Ne ju mbështesim me Oferta të favorshme dhe të personalizuara; Kushtet e pamposhtur; Mbështetje e shpejtë dhe e sigurt. Bëni hapin e parë drejt qëllimeve tuaja sot. Kënaqësia juaj është prioriteti ynë.”- shkruan në këtë ofertë.
Krypometër ka dërguar pyetje te kjo faqe, me qëllim që të marrim oferta të personalizuara.
Ata thonë se ofrojnë kredi me vetëm 2% kamatë.
“KONFIGURIMI DHE KONFIGURIMI I PËRGJITHSHËM I KREDIsë. Shuma e kredisë: 5.000 €. Kohëzgjatja e shlyerjes: 48 muaj/ 4 vjet. Interesi vjetor: 2% Sigurimi: Nuk kërkohet. Pagesat mujore: 108,48 € Fillimi i shlyerjes: 15/03/2025 , pra 3 muaj pas marrjes së kredisë. TOTALI PAGESAT MUJORE PA SIGURIM: 5258.33 EURO. INTERESI TOTALI: 258.33 EUROS.”- thuhet në përgjigjen e kësaj faqeje.
Në përgjigjen e kësaj faqeje thuhet gjithashtu se kur të miratohet kredia, klienti duhet të parapaguajë tarifën prej 127 euro, si tarifë transferi.
“Sapo të keni njoftuar nga banka se kredia juaj është pranuar, ju do të duhet të paguani për tarifën e transferimit në mënyrë që fondet t’ju vihen në dispozicion në llogarinë tuaj bankare.”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Krypometër ka kontrolluar publikimet e bëra nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe ka gjetur Raportin me informacionet për sistemin financiar për muajin tetor 2024. Në këtë Raport thuhet se norma mesatare e interesit për kreditë e lëshuar nga Bankat Komerciale ishte 6%. Në bankat e Kosovës, që janë të licensuara nga BQK, nuk ofrohen kredi me vetëm 2% kamatë.
Krypometër ka kontrolluar edhe informacione tjera rreth kësaj faqeje, e cila është krijuar më 02.01.2025. Tutje Krypometër ka kërkuar në Google për këtë institucion financiar me këtë emër, por që nuk ka gjetur ndonjë bankë me licensë që operon.
As logoja e Express Professional Credits (arkiva) nuk gjendet në Google.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Për licensim nga BQK, institucioneve u kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
Në uebfaqen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) është e publikuar lista e institucioneve financiare të licensuara, por aty nuk figuron asnjë institucion me emrin Express Professional Credits (arkiva).
Krypometër ka dërguar pyetje edhe te Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
“Publikimet e tilla, sikurse këto të profileve në Facebook, nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licensuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët. Me këtë rast, ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion, për t’i larguar këto njoftime.”- thuhet në përgjigjen e BQK.
|