schema:text
| - Rrena për arrestimin e personit që sulmoi policinë mbrëmjen e 8 dhjetorit 2022
Deklarata
LAJMI I FUNDIT: Arrestohet i dyshuari që qëlloi zyrtarin policor në Veri
Vlerësimi
Rrenë
Lajmi me titull “LAJMI I FUNDIT: Arrestohet i dyshuari që qëlloi zyrtarin policor në Veri” është i rremë. Policia e Kosovës ka njoftuar se personi në fjalë nuk është arrestuar për rastin e plagosjes së policit më datë 8 dhjetor 2022. Sipas Policisë së Kosovës, personi i ndaluar është i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtar, ‘vrasje e rëndë (në tentativë), rast që ka ndodhur kohë më parë. KALLXO.com ka raportuar se personi i arrestuar dyshohet se është përfshirë në rastin e sulmit ndaj zyrtarëve në aksionin kundër kontrabanës që ishte zhvilluar më 13 tetor 2021.
Artikulli
Më 9 dhjetor 2022, portali IndeksOnline ka publikuar një artikull me titull: LAJMI I FUNDIT: Arrestohet i dyshuari që qëlloi zyrtarin policor në Veri.
Indeksonline duke u thirrë në burime ka raportuar se është arrestuar një person që dyshohet se ka sulmuar policinë në mbrëmjen e datës 8 dhjetor 2022.
Lajmi i portalit “IndeksOnline” është bazuar në burime të pacituara që nuk janë nga qarqet zyrtare të Policisë së Kosovës.
KALLXO.com raportoi se rasti i arrestimit të të dyshuarit nuk lidhet me ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e datës 8 dhjetor 2022.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një deklaratë për KALLXO.com tha se lajmi për arrestimin e të dyshuarit për plagosjen e policit me datë 8 dhjetor 2022, nuk është i vërtetë.
“Për pak ju njoftojmë, s’ka të bëjë me këtë“- tha Kelani për KALLXO.com pasi iu prezantua lajmi që ishte publikuar tashmë.
Disa minuta më vonë, Policia e Kosovës ka njoftuar se arrestimi është bërë për ngjarje që ka ndodhur kohë më parë.
“Personi i ndaluar është i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtarë, ‘vrasje e rëndë (në tentativë)’, rast ky i kryer kohë më parë. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saj në realizimin e objektivave policore, përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
KALLXO.com ka raportuar se personi i arrestuar për të cilin flet artikulli i IndeksOnline dyshohet se është përfshirë në rastin e sulmit ndaj zyrtarëve në aksionin kundër kontrabanës që ishte zhvilluar më 13 tetor 2021.
Në anën tjetër, përveç portalit “Indeks- online”, lajmin e ngjashëm e kanë është ri-publikuar në disa faqe në Facebook, si: Kosova Jonë, Ditori.com, Revista Kosovarja.
Më datën 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00h në Komunën e Zveçanit, persona të dyshuar sipas policisë kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës. Pos dëmeve materiale në këtë rast është lënduar një zyrtar policor. I njëjti ka pranuar edhe tretman mjekësor, fillimisht në Mitrovicë e më pas edhe në QKUK.
|