Titulli i rremë për daljen e qytetarëve në zgjedhje
Deklarata
Befason Zubin Potoku: Kjo është pjesëmarrja në zgjedhjet në veri deri në orën 15:00
Vlerësimi
Me kos
Titulli i artikullit ‘Befason Zubin Potoku: Kjo është pjesëmarrja në zgjedhjet në veri deri në orën 15:00’ nuk është i saktë. Dalja e qytetarëve të komunës së Zubin Potokut nuk ka qenë befasi dhe nuk ka dalluar me tri komunat e tjera në të cilët janë mbajtur zgjedhjet në të njëjtën kohë. Në katër komunat, numri i qytetarëve që kanë dalë në zgjedhje ka qenë i ulët krahasuar me numrin e atyre që kanë pasur të drejtë vote.
Artikulli
Më 23 prill 2023 faqja e internetit “ShikoVideo” ka publikuar një artikull me titullin ‘Befason Zubin Potoku: Kjo është pjesëmarrja në zgjedhjet në veri deri në orën 15:00’.
Befasia e paralajmëruar në titull nuk është pasqyruar fare në artikullin e publikuar pasi aty tregohet pjesëmarrja e numrit të qytetarëve në zgjedhje, duke mos e bërë asnjë dallim në daljen e qytetarëve në komunën e Zubin Potokut.
Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet komunale deri në ora 15:00 për komunën e Zubin Potokut ka qenë 250 qytetarë, një pjesëmarrje e ulët krahasuar me numrin e qytetarëve me të drejtë vote.
Titulli në fjalë duke paralajmëruar ‘befasi’ manipulon lexuesin duke e shtyrë ata të besojnë që komuna e Zubin Potokut ka dalluar nga tri komunat e tjera.
Të dielën janë mbajtur zgjedhjet për kryetarë në katër komuna: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut dhe për asamble në dy prej tyre.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë marrë nga dy komuna. Qytetarët e komunitetit serb të këtyre komunave, që përbëjnë shumicën, i kanë bojkotuar këto zgjedhje.