schema:text
| - Semafori nuk është shkrirë nga temperaturat e larta në Greqi
Deklarata
Temperature te larta ne Greqi shkrijne semaforat. Konkretisht kjo foto eshte bere ne qytetin Larisa dhe publikuar ne Facebook
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i fotografisë “Temperature te larta ne Greqi shkrijne semaforat. Konkretisht kjo foto eshte bere ne qytetin Larisa dhe publikuar ne Facebook” është i rremë. Fotografia që tregon një semafor të shkrirë nuk është realizuar në Greqi por në Milano të Italisë. Semafori është shkrirë pasi një skuter kishte marrë flakë në afërsi të tij. Kjo fotografi është përdorë për të prodhuar informacione të rreme edhe nëpër vende të tjera.
Artikulli
Më 14.07.2024, faqja në Facebook ‘Kolibri.al’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të një semafori, duke pretenduar se semaforët në Larisa të Greqisë janë shkrirë nga temperaturat e larta.
Fotoja mbanë mbishkrimin “Temperature te larta ne Greqi shkrijne semaforat. Konkretisht kjo foto eshte bere ne qytetin Larisa dhe publikuar ne Facebook”.
Fotografia dhe përshkrimi i njëjtë është shpërndarë nga disa faqe Facebook-u si: Durrësi Online (arkiva), Tirana Press (arkiva), Blloku TV (arkiva) dhe TvLushnjaWeb.
Pas kërkimit në internet përmes instrumentit Google Search Images, Krypometër ka gjetur se ky imazh qarkullon në rrjete sociale që nga viti 2022 dhe e njëjta ishte shkrepur në Milano të Italisë.
Organizata italiane e verifikimit të fakteve Open, kishte raportuar se më 25.07.2023, në Milano të Italisë një skuter kishte marrë flakë në udhëkryqin midis Viale Regina Margherita dhe Via Bergamo, që kishte shkaktuar edhe shkrirjen e semaforit.
Kjo ishte konfirmuar edhe nga zjarrfikësit për organizatën Open.
“Ata në fakt na konfirmuan se pasditen e vonë të së hënës së 25 korrikut 2023 një skuter mori flakë në atë rrugë. Edhe vapa anormale mund të ketë pasur dorë në këtë rast: zjarrfikësit na shpjegojnë se automjeti sapo ishte mbushur dhe se temperaturat e larta ndoshta kanë shkaktuar flakët. Konfirmimi i mëtejshëm vjen nga policia lokale e cila shtoi se stafi i Bashkisë ka ndërhyrë menjëherë për rregullimin e zonës dhe rivendosjen e normalitetit”- raporton Open.
Gjatë kohës sa kjo fotografi ka qarkulluar në internet është përdorë për prodhim të informacioneve të rreme, siç ishte kishte bërë faqja Las Vegas e cila publikoi të njëjtën fotografi me mbishkrimin “Është zyrtarisht verë në Vegas”.
Kontrolluesi i fakteve Snopes, në korrik të vitit të 2023 e kishin vlerësuar si të rremë pretendimin e faqes Las Vegas se fotografia është shkrepur në Vegas.
Temperaturat e larta në rajon
Semafori nuk është shkrirë në Larisa të Greqisë, por rajoni megjithatë po përballet me një valë të të nxehtit të lartë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se ditët në vijim, vendi do të përballet me temperatura të larta.
Ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar disa këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta që pritet të dominojnë sipas tyre ditëve në vijim.
Sipas IKShPK-së, vala e të nxehtit që pritet të dominojë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve dhe sidomos të grupeve të cenueshme.
“Periudhat e zgjatura me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të grumbulluar në trupin e njeriut dhe rrisin rrezikun e sëmundjes dhe vdekjes nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”– kanë njoftuar nga IKShPK, më 08.07.2024.
Për tu përballur me të nxehtit, IKShPK ka rekomanduar që të shmangen daljet në mesin e ditës, të mbahet shtëpia e freskët, si dhe të mbahet trupi i freskët e i hidratuar.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për kufizim të orarit të punës për disa kategori shoqërore në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
|