schema:text
| - Raportimi i pasaktë për kandidaturën e Muharrem Salihu për eurodeputet
Deklarata
Kandidati i parë shqiptar për eurodeputet, Muharrem Salihu nga Medvegja: Angazhohem për më shumë Europë
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Titulli i artikullit “Kandidati i parë shqiptar për eurodeputet, Muharrem Salihu nga Medvegja: Angazhohem për më shumë Europë” nuk është i saktë. Muharrem Salihu nuk është kandidati i parë me origjinë shqiptare për eurodeputet. Arba Kokalari, me origjinë shqiptare, ishte zgjedhur eurodeputete në zgjedhjet e vitit 2019 dhe është kandidate për eurodeputete në zgjedhjet që do të mbahen nga data 6 deri më datën 9 qershor 2024 në gjitha vendet e BE-së.
Artikulli
Më 17.05.2024, faqja në Facebook “Lajmial.com” (arkiva) ka publikuar një lajm me titull “Kandidati i parë shqiptar për eurodeputet, Muharrem Salihu nga Medvegja: Angazhohem për më shumë Europë”.
I njëjti raportim është publikuar edhe në faqen e internetit Lajmial.com (arkiva) në të cilin thuhet se afaristi me banim në Itali, Muharrem Salihu, është kandidati i parë me origjinë shqiptare që merrë pjesë në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Zgjedhjet Europiane do të mbahen në gjitha vendet e BE-së nga data 6 deri më 9 qershor 2024.
Për të verifikuar nëse Salihu është prezantuar si kandidati i parë për eurodeputet me origjinë shqiptare, Krypometër ka kërkuar në internet nëse në zgjedhjet e kaluara kishte ndonjë kandidat tjetër shqipëtar.
Përmes kërkimeve, Krypometër ka gjetur se Arba Kokalari, politikanja shqiptaro- sudeze, ishte kandidate dhe arriti të zgjedhej eurodeputete në zgjedhjet e vitit 2019, si pjesë e grupit të qendrës së djathtë Partia Popullore Europiane.
“Jam e nderuar që kam fituar besimin e votuesve që të jem zëri i Suedisë në BE. Tani është duke më pritur një punë vërtet e vështirë”- ishte shprehur Kokalari.
Kokalari madje është përsëri në kandidim për këtë pozitë në zgjedhjet e këtij viti, ajo në rrjetin social Facebook ka shpërndarë postime me thirrje për ta votuar.
Kandidatë për Eurodeputet janë edhe dy persona tjerë nga Shqipëria, të cilët deklarojnë se janë nga minoriteti grek në Shqipëri.
Kandidat për Eurodeputet është edhe Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, nga pakica greke në Shqipëri, që do të kandidojë me partinë “Demokracia e Re” të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Beleri ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata e Posaçme e Shqipërisë pasi u shpall fajtor për blerje votash në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Shqipëri. Kandidat për ulëse në Parlamentin Europian është edhe Pirro Dhima, i cili thotë se është grek i lindur në Shqipëri.
Qytetarët e Bashkimit Europian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor 2024 për t’i zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian për pesë vjetët e ardhshme.
Parlamenti Europian është njëri prej tre institucioneve kryesore të BE-së që e udhëheqin bllokun e 27 vendeve, i cili vendos për ligjet në lidhje me politikat e përbashkëta europiane dhe për tregun e BE-së që ka gati 450 milionë njerëz.
|