schema:text
| - Video me pretendime të pabazuara për shërimin e hemorroideve dhe kancerin
Deklarata
“Hemorroidet janë sëmundja më e rrezikshme në vendin tonë në vitin 2024. Nëse keni simptoma si gjakderdhje, kruarje, gunga të dukshme, duhet të më dëgjoni. Çdo sekond që kalon hemorroidet përparojnë dhe është shumë e mundshme që me kalimin e kohës, të përballeni me komplikime të rënda. Në vendin tonë një numër i madh njerëzish po vuajnë nga hemorroidet…”
Vlerësimi
Rrenë
Në videon me mbishkrimin “Hemorroidet janë sëmundja më e rrezikshme në vendin tonë në vitin 2024. Nëse keni simptoma si gjakderdhje, kruarje, gunga të dukshme, duhet të më dëgjoni. Çdo sekond që kalon hemorroidet përparojnë dhe është shumë e mundshme që me kalimin e kohës, të përballeni me komplikime të rënda. Në vendin tonë një numër i madh njerëzish po vuajnë nga hemorroidet…”- janë bërë pretendime të rreme. Mbishkrimi i kësaj videoje se “Hemorroidet shkaktojnë kancerin”- është i rremë. Proktologu Kushtrim Gashi thot se këto preparate nuk shërojnë asnjë hemorroid, sidomos ato të stadit 3 dhe 4 që duhet të trajtohen vetëm më ndërhyrje kirurgjike.
Artikulli
Më 14.02.2025, faqja në Facebook Porosit Online (arkiva) ka publikuar një video për rrezikun nga hemorroidet. Në këtë video pretendohet se hemorroidet janë një nga shkaqet kryesore të kancerit të zorrëve dhe se të njëjtat mund të jenë vdekjeprurëse.
“Hemorroidet janë një nga shkaqet kryesore të kancerit të zorrëve.”- shkruan në përshkrimin e kësaj videoje. Personi i cili flet në këtë video thot se është Armend Kelmendi, proktolog i cili punon në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Hemorroidet janë sëmundja më e rrezikshme në vendin tonë në vitin 2024. Nëse keni simptoma si gjakderdhje, kruarje, gunga të dukshme, duhet të më dëgjoni. Çdo sekond që kalon hemorroidet përparojnë dhe është shumë e mundshme që me kalimin e kohës, të përballeni me komplikime të rënda. Në vendin tonë një numër i madh njerëzish po vuajnë nga hemorroidet…”- thuhet në këtë video, në të cilën pretendohet se është duke folur një mjek proktolog, me emrin Armend Kelmendi.
Për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë, secili profesionist shëndetësor duhet të licensohet nga Oda e Mjekëve të Kosovës. Lista e të gjithë mjekëve të licensuar e që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në uebfaqen e Odës së Mjekëve të Kosovës.
Në Nenin 8 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor thuhet se anëtarësimi në Odë është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë dhe profesionistët e tjerë shëndetësor me kualifikim të mesëm e të lartë, të përcaktuar në Regjistrin zyrtar të Ministrisë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Krypometër ka kontrolluar listën e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Regjistrin e Mjekëve në Shqipëri dhe ka gjetur se në asnjërën listë nuk ka mjek me emrin Armend Kelmendi.
Për të verfikuar pretendimet se hemorroidet shkaktojnë kancerin, Krypometër ka biseduar me drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishin. “Hemorroidet s’mund të shkaktojnë kancerin, por nëse ka kancer në zorrë të trashë, hemorroidet e maskojnë atë.”- tha Kurtishi për Krypometër.
Çka thonë mjekët për shërimin e hemorroideve?
Proktologu Kushtrim Gashi ka thënë se reklamat që po publikohen janë duke i dhënë shpresa të kota pacientëve, si dhe duke e rrezikuar shëndetin e tyre. Sipas tij, produktet që reklamohen nëpër rrjete sociale nuk mund t’i shërojnë hemorroidet e stadit 3 dhe 4.
“Këto preparate nuk shërojnë asnjë hemorroid. Këto preparate janë simptomatike: lehtësojnë gjendjen, por nuk shërojnë. Jo vetëm ky, por të gjitha preparatet. S’ka preparate që i shërojnë hemorroidet e stadit 3 dhe 4. Janë sëmundje me predisponim trashëgues, ose shkaktohen nga mënyra jo e mirë e të ushqyerit (regjimi higjienodietetal). Herët ose vonë përfundojnë me operacion.”- ka thënë Gashi për Krypometër.
Ai ka thënë se hemorroidet e jashtme në mënyrë të natyrshme tërhiqen pas një kohe. “Në ditët e sotme, njerëzit i ngatërrojnë me hemorroidet e jashtme, të cilat trajtohen me këto preparate dhe të cilat nga vetë natyra e tyre tërhiqen brenda disa ditëve. Janë sëmundje me predisponim trashëgues, ose shkaktohen nga mënyra jo e mirë e të ushqyerit (regjimi higjienodietetal).”- ka thënë ai.
|