schema:text
| - Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit
Arsyetimi ‘Me Kos’ i komunës së Gjilanit për grevën në arsim
Deklarata
Komuna e Gjilanit: “Komuna e Gjilanit ka vendosur që të ndërpresë grevën e mësimdhënësve, e cila ka nisur ditë më parë, nga e marta nxënësit e të gjitha shkollave do t’i kthehen procesit të rregullt mësimor. Vendimi është marrë pas takimit të drejtorit të drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazmi Gagica, së bashku me drejtorët e të gjitha shkollave fillore, të mesme dhe institucioneve parashkollore”.
Vlerësimi
Me kos
Komuna e Gjilanit nuk ka qenë ‘një gojë’ për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve. Një komunikatë të lëshuar për ndërprerje të saj, e kanë korrigjuar pak më vonë. Lajmi për ndërprerje të grevës është kthyer në ftesë për ndërprerje. Gabimi teknik i bërë në këtë komunikatë lidhet me komunikatat e bëra nga komunat ku udhëheq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në Gjilan, LDK-ja bashkëqeverisje me AAK-në. Drejtorinë e Arsimit e udhëheq një person i AAK-së.
Artikulli
Pavarësisht vendimit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK) për të vazhduar grevën dhe mos të pranojë ofertën e kryeministrit Haradinaj, komuna e Gjilanit kishte njoftuar se nga dita e martë (dje), nxënësit e kësaj komune do të fillojnë mësimin.
“Komuna e Gjilanit ka vendosur që të ndërpresë grevën e mësimdhënësve, e cila ka nisur ditë më parë, nga e marta nxënësit e të gjitha shkollave do t’i kthehen procesit të rregullt mësimor. Vendimi është marrë pas takimit të drejtorit të drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Nazmi Gagica, së bashku me drejtorët e të gjitha shkollave fillore, të mesme dhe institucioneve parashkollore”, thuhej në këtë komunikatë e lëshuar nga Komuna e Gjilanit.
Por, vetëm pas disa orësh, Komuna e Gjilanit kishte ndryshuar komunikatën vetëm duke bërë thirrje për marrëveshje mes SBAShK-ut dhe Qeverisë që të gjejnë një zgjidhje.
“Komuna e Gjilanit nuk ka vendim për ndërprerjen e grevës, por kërkon nga SBASHK dhe Qeveria që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për fillimin e mësimit Komuna e Gjilanit sqaron opinionin se nuk ka vendim për ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve, por e fton Qeverinë e Kosovës dhe SBASHK-un që urgjentisht ta gjejnë zgjidhjen me qëllimin që të fillojë mësimi”, thuhej në këtë komunikatë.
E në lidhje me këtë drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica tha për KALLXO.com se komunikata e lëshuar se greva do të ndalet, kishte qenë gabim teknik.
“Ka qenë një lëshim teknik prej zyrës së informimit, nuk ka vendim për ndërprerje të grevës në Gjilan”, tha Gagica, që vjen nga partia e Kryeministrit Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërsa, zyrtari për Informim në komunën e Gjilanit, Ibrahim Ademi tha për KALLXO.com se komunikata e lëshuar herën e parë ka qenë një keqinterpretim.
“Ka ndodhë një keqkuptim këtu, në fakt është keqinterpretuar deklarata e drejtorit të Arsimit, Nazim Gagica se ka ndërprerje të grevës a në fakt ka qenë si një lloj apeli kjo për Qeverinë dhe SBAShK-un, siç e kemi sqaruar pastaj në komunikatë”, tha Ademi për KALLXO.com.
Kurse, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha për KALLXO.com se nuk do të suspendohet asnjë zyrtar për lëshimin e kësaj kumtesë për media.
“Jo në asnjë mënyrë nuk do të ketë asnjë suspendim sepse është një lëshim i vogël dhe nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të madhe. Ne edhe sot e kemi vlerësuar gjendjen e grevës dhe ata do të vazhdojnë të punojnë”, tha Haziri për KALLXO.com
Ndërsa, nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala kërkoi që të mos u bëhet presion grevistëve, ose sipas saj do të ngritët padi ndaj komunave dhe DKA-ve.
“Ne edhe më herët kemi deklaruar se të gjithë kryetarët e komunave dhe drejtoritë e arsimit komunale që të mos bëjnë presion tek grevistët, sepse përndryshe nëse bëhet presion nga ana e drejtorive komunale ndaj tyre do të bëjmë padi sepse ne jemi duke e mbajtur grevën në bazë të ligjit në fuqi”, tha ajo.
Greva e mësimdhënësve e nisur javë më parë ka nxitur shumë reagime e mospajtime në vend, e në mënyrë që të ndalohet ajo pati përpjekje të shumta.
Kështu, ditën e diel, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e SBAShK ku vendosi që të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve në Projektligjin për Paga për 10 për qind, në mënyrë që të ndërpritet greva.
Mirëpo, as kjo përpjekje e Haradinajt nuk e bindi SBAShK-un që t’i ndalojë grevat. Gjatë ditës së djeshme në Këshillin Drejtues të kësaj sindikate u vendos që të mos pranohet oferta e Haradinajt, pasi sipas tyre nuk përmbush kërkesat e tyre.
Ligji për Greva në Nenin 20- Ndërprerja e grevës bëhet vetëm pas përmbushjes së kërkesave të grevistëve, arritjes së marrëveshjes me punëdhënësin, pas vlerësimit të Këshillit Grevist për arsyeshmërinë e ndërprerjes së saj dhe kur janë në pyetje rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Deklaratat e deritanishme tregojnë që asnjëra nga këto pika nuk janë përmbushur që të arrihet ndërprerja e kësaj greve të mësimdhënësve.
Pra, pavarësisht propozimit të kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të mësimdhënësve të tri niveleve, mësimdhënësit që janë në grevë, sipas Ligjit për Greva, në Nenin 22 te Procedura e pajtimit, pika 3 thuhet se ‘palët mund të pranojnë ose të refuzojnë propozimin e Komisionit të pajtimit’.
Kurse, kërkesat e SBAShK-ut janë që të rritet koeficienti i tyre në Projektligjin për Paga 30 përqind dhe në këtë koeficient të përfshihen i gjithë sistemi arsimor e jo vetëm shkollat e mesme dhe fillore.
Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njërën nga seancat e para të Kuvendit.
|