schema:text
| - Postimi i rremë për Valon Sylën dhe Telegrafin
Deklarata
Ne i themi lamtumirë Valon Syla. E gjithë Kosova është në zi…
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Postimi në Facebook “Ne i themi lamtumirë Valon Syla. E gjithë Kosova është në zi…”- është i rremë. Në këtë postim është një artikull në të cilin pretendohet rrejshëm se “Banka e Kosovës po padit Valon Syla për ato që tha në televizionin live”. Banka Qendrore e Kosovës nuk e ka paditur gazetarin Valon Syla. Intervista që është publikuar në këtë faqe është fiktive dhe e njëjta nuk është realizuar nga Berat Buzhala.
Artikulli
Më 08.08.2024 faqja në Facebook ‘Wemailan’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të gazetarit Valon Syla, me mbishkrimin “Ne i themi lamtumirë Valon Syla. E gjithë Kosova është në zi…”.
Kur klikon në këtë postim të dërgon tek uebfaqja ‘Weedenhost.com’ (arkiva), por me pamjen e portalit Telegraf.com.
“Banka e Kosovës po padit Valon Syla për ato që tha në televizionin live”- është titulli i artikullit ndërsa shkruan se “Syla është penduar që ka zbuluar të vërtetën në transmetim. Por tashmë ishte tepër vonë”.
Tutje pretendohet se Syla ka thënë se është milioner dhe këtë e ka arritur përmes investimeve në një platfformë.
“Më jep 250 euro dhe me platformën Nearest Edge do të fitoj një milion brenda 12 deri në 15 javë!”- pretendohet se ka thënë Syla.
Tutje në artikull pretendohet se pas insistimit të Sylës edhe gazetari Berat Buzhala kishte hapur një llogari në këtë platformë duke fituar menjëherë para.
“Berat Buzhala hapi një llogari personale në platformën Nearest Edge dhe mbeti e mahnitur. Brenda 20 minutash, programi bëri 3 transaksione: njëra ishte e parëndësishme, por dy të tjerat ishin fitimprurëse. Bilanci u rrit nga 250 EUR në 276 EUR”- pretendohet në këtë artikull.
Nëse klikohet platforma ‘Nearest Edge’ të hapet një faqe në të cilën kërkohen të dhënat personale, duke përfshirë emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit.
Ky shkrim është në formë interviste, për të cilën pretendohet se është fshirë, por Krypometër përmes Google ka gjetur intervistën e Valon Sylës në emisionin “Intervista e Buzhalës“, e cila e qasshme.
Në këtë intervistë Syla nuk flet se si është bërë milioner e as nuk promovon platforma të investimeve, mirëpo flet për historinë, politikën e religjionin dhe quhet ‘Rrëfimi i Valon Sylës për historinë, politika dhe feja’.
Krypometër ka kontaktuar me Valon Sylën për të verifikuar këto pretendime. Syla tha për Krypometër se kjo është dezinformatë.
“Cila është Banka e Kosovës më së pari, nuk e di që ka këso banke, nuk kam pranuar ndonjë padi. Fake news është”- ka thënë Syla për Krypometër.
Krypometri ka biseduar edhe me ekipin e portalit Telegraf.com, të cilët kanë konfirmuar se nuk është lajm i tyre.
”Siç po shihet, është manipulim. Pra, konfirmojmë që shkrimi fare nuk ka asgjë me Telegrafin por është manipulim. Natyrisht ne si media profesionale do të lajmërojmë rastin në organet kompetente. Ndërkohë, ju lajmërojmë edhe ju por edhe organizatat tjera që merren me Fact Checking që të njëjtën mund ta raportoni si manipulim dhe dëmtim imazhi për media profesionale e kredibile siç është Telegrafi.com”- thuhet në përgjigjen e ekipit të Telegrafi.com.
Krypometër gjithashtu ka biseduar edhe me Berat Buzhalën, i cili për Krypometër ka thënë se kjo është dezinformatë.
“Ky është fake news”- ka thënë Buzhala.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Bankën Qendrore të Kosovës. Ata kanë thënë se nuk kanë ushtruar ndonjë padi ndaj gazetarit Valon Syla.
“Këto janë lajme të pavërteta (Fake News) të cilat janë tërësisht të pavërteta dhe s’kanë të bëjnë asgjë me BQK-në. Përdorimi i emrave të përveçëm në këtë lajm dhe pretendimi për paraqitje në emër të BQK-së është i paligjshëm dhe kërkon përgjigje. Ne po konsiderojmë t’i njoftojmë organet përgjegjëse mbi bazën e kësaj informate dhe shpresojmë se të njëjtit do të marrin veprime konkrete ligjore ndaj këtij pretendimi”- thuhet në përgjigjen e BQK-së për Krypometër.
Përderisa edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar lidhur me këto imazhe të gazetarëve që janë publikuar në disa faqe në Facebook.
“Disa prej gazetarëve të atakuar nga këto foto-montazhe janë: Vehbi Kajtazi, Valon Syla, Berat Buzhala, dhe të tjerë. Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme. AGK-ja, e sheh këtë fushatë si ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediet, dhe fton Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetik, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre”- thuhet në reagimin e AGK-së.
|