schema:text
| - Video e për shërim të boshtit të kurrizit
Deklarata
A vuani nga dhimbjet në nyje, gjunjë apo ije? Ja çfarë duhet të dini.
Vlerësimi
Rrenë
Video e shpërndarë me mbishkrimin “A vuani nga dhimbjet në nyje, gjunjë apo ije? Ja çfarë duhet të dini..”- e në të cilën pretendohet se mund të shërohen sëmundjet e eshtrave përmes një kreme është e rreme. Në këtë video janë bërë pretendime për shërimin e disa sëmundjeve të nyjeve, por edhe të boshtit kurrizor, që sipas profesionistëve janë të rreme. Specialisti i ortopedisë, Blerim Qosaj thot se disku i boshtit kurrizor nuk shërohet me një produkt të tillë. E drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka bërë thirrje te pacientët që të konsultohen me mjekët paraprakisht për diagnostifikim dhe trajtim të sëmundjeve të eshtrave.
Artikulli
Më 02.01.2025, faqja në Facebook The New Era (arkiva) ka publikuar një video për një kremë për të cilën pretendohet se shëron sëmundjet dhe dhimbjet e nyjeve dhe gjunjëve.
“A vuani nga dhimbjet në nyje, gjunjë apo ije? Ja çfarë duhet të dini..”- shkruan në titullin e kësaj videoje.
Në video thuhet se trajtimi i nyjeve të dëmtuara aktualisht bëhet përmes operacioneve të kushtueshme, mirëpo përmes përdorimit të një produkti mund të rigjenerohen eshtrat dhe nyjet.
Kjo video është në gjuhën shqipe, mirëpo disa prej fjalëve nuk shqiptohen siç duhet, pasi në vend të “javësh”, lexohet “xhavësh”, në vend të ‘dhimbjes’ lexohet “dhimbxhësh”.
Kur klikon mbi linkun e publikuar nën video të dërgon tek uebfaqja healthandbeauthy.life, por e cila nuk është e qasshme.
Krypometër ka kontrolluar informacione të tjera rreth faqes në Facebook The New Era (arkiva), e cila është krijuar më 25.06.2023. Menaxherët e faqes figurojnë me lokacion në Ukrainë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si trajtohen nyjet?
Krypometër ka kontaktuar me ortopedin Blerim Qosaj, i cili ka thënë që nuk ka gjasa që të shërohet disku i boshtit kurrizor me një produkt të tillë.
“Aty po tregon se si e shëron diskun në boshtin e kurrizit, që s’ka shanca. Ose, artrozat e gjurit nuk është e mundur të shërohen me këtë kremë. Artroza shërohet me barna, që kanë përmbajtje për rigjenerim të kërces ose me trajtime operative (proteza), nëse kanë prograduar. Ama me ly me kremë e me u shëru, hiç s’ka shanca. Mund të ndikojë në zvogëlimin e dhimbjes, por jo në shërim.”- ka thënë Qosaj për Krypometër.
Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se trajtimi i sëmundjeve reumatike bazohet në tri fusha kryesore. Tutje, ai ka shpjeguar se grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike, pra ndikojnë në zbutjen e simptomave si dhimbjes e inflamacionit.
“Grupi i dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhës së sëmundjes, ose e ndal procesin.”- ka thënë ai duke shtuar se në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.
“Diagnostikimi kalon në disa drejtime, analizat, serologjia, rezonancën, ultrazëri etj. Kur vendoset diagnoza, në bazë të protokolleve të cilat nuk i kemi shpikë ne, e bëjmë mjekimin, në bazë të gjetjes, në bazë të diagnozës. Tash disa kanë nevojë më tepër për terapi medikamentoze e pastaj fizioterapi, e një grup tjetër kur vjen te dekompozimi i nyjës, dëmtimi i rrallë i nyjës, këtu hyn në punë edhe kirurgjia.”- thotë Kryeziu.
Ai ka thënë se marrja e barnave online pa konsulta paraprake me mjekun adekuat mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
“Çdo ilaç duhet të ketë përshkrimin, me Ligje e Rregullore shëndetësore, edhe për efektet anësore. Çka mundet me bo dëm, sepse çdo ilaç ka efekte anësore. Nuk ka ilaç pa efekte anësore, prandaj ne i dallojmë ku dhe kur me i dhanë. Nëse një person ka probleme shëndetësore edhe të natyrave të tjera, por edhe në të njëjtën kohë ne zgjedhim ilaçe që nuk shkaktojnë probleme p.sh. në lukth. Për këto barna duhet bërë një hulumtim, duhet të ndërmarrë masa shteti.”- ka thënë Kryeziu.
|