schema:text
| - Keqpërdorimi i llogos së CSR Network dhe të BKT-së për postime të rreme për kredi
Deklarata
Kredi personale, profesionale ose për pasuri të paluajtshme 💰 Shuma e disponueshme: nga 5,000 € në 500,000 € 📅 Kohëzgjatja fleksibël: nga 6 deri në 120 muaj 📉 Norma konkurruese e interesit ⏱ Përgjigje e shpejtë pa detyrim!
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi i bërë në emër të Bankës Kombëtare Tregtare që thot “Kredi personale, profesionale ose për pasuri të paluajtshme 💰 Shuma e disponueshme: nga 5,000 € në 500,000 € 📅 Kohëzgjatja fleksibël: nga 6 deri në 120 muaj 📉 Norma konkurruese e interesit ⏱ Përgjigje e shpejtë pa detyrim!”. Banka Kombëtare Tregtare ka thënë se publikimi nuk është bërë nga kjo bankë. Në faqen “Kredi e shpejte ne Kosove (arkiva) është një fotografi e drejtoreshës së Kosovo CSR Network, Zana Bajrami- Rama, e cila e ka thënë se fotografia e saj është keqpërdorur pasi CSR Network nuk lëshon kredi.
Artikulli
Më 22.10.2024 faqja në Facebook ‘Kredi e shpejte ne Kosove’ (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi.
“Kredi personale, profesionale ose për pasuri të paluajtshme 💰 Shuma e disponueshme: nga 5,000 € në 500,000 € 📅 Kohëzgjatja fleksibël: nga 6 deri në 120 muaj 📉 Norma konkurruese e interesit ⏱ Përgjigje e shpejtë pa detyrim!”- shkruan në këtë postim.
Përmes kërkimit në internet, Krypometër ka gjetur se llogo e përdorur në këtë publikim është e Bankës Kombëtare Tregtare- BKT.
Krypometër ka dërguar pyetje te Banka Kombëtare Tregtare- BKT për të parë nëse faqja që e ka përdorur llogon e tyre dhe që ka publikuar oferta për kredi menaxhohet nga ta.
“Na lejoni të ju informojmë që lajmi i publikuar në linkun e pranuar nga ana juaj, nuk i takon Bankës Kombëtare Tregtare dhe i njëjti është raportuar tek departamenti përgjegjës i bankës tonë”- kanë thënë nga Banka Kombëtare Tregtare.
Në profilin e Kredi e shpejte ne Kosove (arkiva) është një fotografi e drejtoreshës së Kosovo CSR Network, Zana Bajrami- Rama
Krypometri për këtë ka biseduar me znj. Bajrami– Rama për të marrë një qëndrim rreth kësaj çështje. Ajo ka thënë se nuk merren me lëshim të kredive.
“CSR është Rrjet i Bizneseve, organizatë jofitimprurëse dhe ne nuk nuk merremi me lëshim të kredive. Kjo faqe e ka keqpërdorë një fotografi të CSR e cila është publikuar në faqen tonë zyrtare”- ka thënë Zana Bajrami– Rama.
Rrjeti CSR Kosova, si një organizatë jofitimprurëse, ka për qëllim mbështjetjen dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social në vend, duke inkurajuar vazhdimisht respektimin dhe implementimin e praktikave të CSR-së nga sektori privat dhe organizatat e tjera relevante.
Krypometër po ashtu i ka shkruar faqes Kredi e shpejte ne Kosove (arkiva), të cilët i kanë shpjeguar hapat të cilët duhet të ndërmerren për të marrë kredi.
“Në QUICK LOAN IN KOSOVO, ne kemi thjeshtuar procesin e marrjes së kredisë për t’ju ofruar një përvojë 100% online”– thuhet në përgjigjen e tyre.
Ata kanë kërkuar që të plotësohen disa formularë, e në të cilat kërkohen të dhënat personale.
“Ja se si funksionon: 1. Plotësoni kërkesën tuaj online: Brenda pak minutash, plotësoni formularin me informacionin e nevojshëm në mënyrë që ne të vlerësojmë kërkesën tuaj. 2. Vlerësimi i shpejtë: Ne analizojmë kërkesën tuaj menjëherë. Kushtet tona janë të thjeshta dhe transparente, pa sherr të panevojshëm. 3. Përgjigje e menjëhershme: Merre një përgjigje brenda disa orësh, direkt me email ose SMS. 4. Disbursimi i shpejtë: Pasi të miratohet kredia juaj, fondet transferohen në llogarinë tuaj bankare në kohë rekord pasi të keni paguar dhe nënshkruar dokumentet kontraktuale të kredisë”- thuhet në mesazhin e tyre.
Krypometri ka kontrolluar edhe në ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), listën e institucioneve financiare të licencuara, por nuk ka gjetur ndonjë të tillë me emrin QUICK LOAN IN KOSOVO.
|