schema:text
| - Keqpërdorimi i Gazetës Express dhe mjekëve nga Shqipëria për të shitur krema
Deklarata
MJAFT ME DHEMBJET E PAFUNDME DHE TRAJTIMET E PASUKSESSHME! NJË FORMULË NATYRORE QË SHËRON NYJET DHE JU ÇLIRON NGA DHIMBJA. KLIKONI MENJËHERË DHE ZBULO SI TË TRANSFORMONI JETËN TUA
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “MJAFT ME DHEMBJET E PAFUNDME DHE TRAJTIMET E PASUKSESSHME! NJË FORMULË NATYRORE QË SHËRON NYJET DHE JU ÇLIRON NGA DHIMBJA. KLIKONI MENJËHERË DHE ZBULO SI TË TRANSFORMONI JETËN TUAJ!”- është i rremë. Në këtë postim është keqpërdorë figura e mjekut nga Shqipëria, Edmond Prifti, duke i mveshur deklarata që ai nuk i ka thënë. Në artikull është keqpërdorë po ashtu logoja e Gazeta Express, në mënyrë që artikulli të bëhet më bindës. Në artikull promovohen artikuj që pretendohet rrejshëm se i shërojnë sëmundjet e nyjeve.
Artikulli
Më 27.01.2025, faqja në Facebook The Orionis (arkiva) ka publikuar një lajm për shërimin e nyjeve.
“MJAFT ME DHEMBJET E PAFUNDME DHE TRAJTIMET E PASUKSESSHME! NJË FORMULË NATYRORE QË SHËRON NYJET DHE JU ÇLIRON NGA DHIMBJA. KLIKONI MENJËHERË DHE ZBULO SI TË TRANSFORMONI JETËN TUAJ!”- thuhet në këtë postim.
Në këtë infografikë shkruan se në këtë artikull është përvjedhur një fjalë në gjuhën angleze: simple (thjeshtë).
“Dhembje në shpinë që shkon te këmbët? Mjeku zbulon sekretet se si të largoheni nga ajo me mënyra simple dhe si të harrojmë për gjithmonë përdorimin e mjekimeve për dhimbje.”- shkruan në këtë infografikë.
Kur klikon linkun poshtë këtij artikulli, të dërgon tek uebfaqja beimass.com (arkiva), në të cilën është publikuar një artikull i gjatë me titull “Mos e neglizhoni dhimbjet e shpinës dhe të qafës!”.
Kjo faqe ka logon e portalit “Gazeta Express”.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka kontrolluar portalin Gazeta Express, mirëpo aty nuk është gjetur ndonjë lajm i tillë.
Tutje, Krypometër ka kontaktuar me udhëheqës të Gazeta Express, të cilët e kanë konfirmuar që ky lajm nuk është publikuar në portalin e tyre.
“Ju njoftojmë që kjo faqe s’ka të bëjë asgjë me Gazetën Express. Duket që është keqpërdorim i logos nga dikush.”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Artikulli i publikuar në beimass.com (arkiva) citon doktorin Edvin Prifti, i cili pretendohet se flet për nyjet, shërimin e tyre në kushte shtëpie.
“Në 2025, ne jemi në prag të një epidemie të re të Sistemit muskulor dhe skeletor, veçanërisht në nivelin e shtyllës kurrizore. Prandaj, kemi krijuar metodën më efektive për përdorim në shtëpi.”- pretendohet ta ketë thënë doktor Prifti në një intervistë për këtë uebfaqe.
Krypometër ka gjetur se Edmond Prifti është doktor i cili aktivitetin e tij e ka në Shqipëri, prandaj ka dërguar pyetje në Klinikën “Serenity Medassist”, ku punon doktor Prifti.
Në një përgjigje për Krypometër kjo Klinikë thekson se Dr. Prift nuk e ka dhënë një deklaratë të tillë, çfarë pretendohet në këtë postim.
“Dr. Prifti është kardiokirurg dhe s’ka asnjë lidhje me bisedën që është përshkruar në këtë lajm.”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Ky artikull rekomandon gjithashtu një kremë të quajtur “Nautubone”, që pretendohet se shëron nyjet.
Kjo kremë që reklamohet në këtë uebfaqe kushton 39 euro. Pas kërkimeve në faqen e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale në Kosovë (AKPPM) rezulton se produkti “Nautubone” nuk është në listën e barnave me Autorizim Marketingu.
Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thot se “Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës, vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
A shërohen nyjet me anë të një kreme?
Drejtori i Klinikës së Reumatologjisë në QKUK, Avni Kryeziu ka thënë se marrja e barnave online, pa konsulta paraprake me mjekun adekuat, mund të dëmtojë shëndetin e pacientëve.
“Sugjerimi im është që çdo pacient që ka dhimbje duhet me e konsultu doktorin, sepse koha është shumë e rëndësishme. Përdorimi i tyre është i dëmshëm dhe shitja e këtyre barnave është edhe e jashtëligjshme. Si epilog, çdo dhimbje, çdo shqetësim i pacientit, duhet të trajtohet sipas udhëzimeve të doktorit adekuat.”- ka thënë Kryeziu.
Ai ka thënë se përshkrimi i ilaçeve bëhet në përputhje me gjendjen e pacientit, rezultatet e analizave dhe sëmundjet e tjera përcjellëse që mund të ketë ai.
“Nuk ka ilaç pa efekte anësore, prandaj ne i dallojmë ku dhe kur me i dhanë. Nëse një person ka probleme shëndetësore edhe të natyrave të tjera, në të njëjtën kohë ne zgjedhim ilaçe që nuk shkaktojnë probleme p.sh. në lukth. Për këto ilaçe duhet bërë një hulumtim. Duhet të ndërmarrë masa shteti.”- ka thënë Kryeziu.
Ai ka shpjeguar se grupi i parë i ilaçeve janë simptomatike. Pra, ndikojnë në zbutjen e simptomave si dhimbjes e inflamacionit.
“Grupi i dytë është terapia modifikuese, që e ndryshon ecurinë e rrjedhjes së sëmundjes ose e ndalë procesin.”- ka thënë ai, duke shtuar se në grupin e tretë bëjnë pjesë suplementet.
I kontaktuar nga Krypometër, ortopedi Zukë Xani thot se trajtimi i sëmundjes osteoartrit është shumë kompleks.
“Trajtimi i osteoartritit është kompleks, duke filluar prej terapisë medikamentoze, injeksioneve intra- artikulare, fizioterapisë e deri në intervenim kirurgjik. Pra, gjithçka varet se në cilin stad është sëmundja.”- ka thënë Xani për Krypometër.
|