schema:text
| - Pretendimi i pabazuar për shërim të migrenës
Deklarata
“Pikat shëruese për Migrenë Ilaç për kurimin e migrenës dhe dhimbjeve të kokës në mënyrë rrënjësore, efikasitet i garantuar 100%, për një muaj përdoren 2 shishe”
Vlerësimi
Me kos
Postimi në Facebook që thotë se “Pikat shëruese për Migrenë Ilaç për kurimin e migrenës dhe dhimbjeve të kokës në mënyrë rrënjësore, efikasitet i garantuar 100%, për një muaj përdoren 2 shishe”- është i rremë. Në këtë postim është sugjeruar që të kontaktohet një numër kontaktues, mirëpo i njëjti nuk ka dhënë përgjigje për prodhuesin e këtyre pikave dhe as garancionet që këta ofrojnë se të njëjtat e shërojnë migrenën. Krypometër ka kontaktuar me një faqe tjetër që e shet të njëjtin produkt gati përgjysmë më lirë dhe të njëjtit në postimin e tyre nuk thonë se pikat e shërojnë migrenën. Ata thonë se migrena trajtohet për lehtësimin e dhimbjes dhe parandalimin e sulmeve. Mjeku familjar Fevzi Sylejmani thotë se ende nuk dihet shkaktari i migrenës dhe trajtimi i saj është problematik, por që ka medikamente që i lehtësojnë dhimbjet, por prapë trajtimi është individual.
Artikulli
Më 05.10.2024 faqja në Facebook ‘bio produkt’ (arkiva) ka publikuar një artikull për shërimin e migrenës.
“Pikat shëruese për Migrenë Ilaç për kurimin e migrenës dhe dhimbjeve të kokës në mënyrë rrënjësore, efikasitet i garantuar 100%, për një muaj përdoren 2 shishe” – shkruan në infografikën e publikuar, në të cilën është i vendosur edhe produkti i cili pretendohet se shëron migrenën.
Kur klikon mbi këtë postim, linku të dërgon tek një chat (arkiva) në WhatsApp.
Krypometri ka biseduar me përfaqësues të kësaj kompanie të cilët kanë thënë se produkti kushton 25 euro.
“Kush e ka provuar ka folur mirë për këtë produkt përderisa një shishe kushton 25 euro por në muaj duhet të merren dy të tilla dhe produkti është bio nga Kroacia”- kanë thënë përfaqësuesit e kompanisë që janë përgjigjur në pyetjet e dërguara te numri kontaktues i sugjeruar. Por, Krypometër nuk ka marrë përgjigje në pyetjet rreth produktit të reklamuar dhe prodhuesit të saj.
Krypometër përmes kërkimeve në Google Lens ka gjetur se produkti i njëjtë është në shitje edhe nga një faqe tjetër që operon në Kosovë.
Por, në këtë faqe nuk thuhet se e njëjta e shëron migrenën.
“Trajtimi i migrenës përfshin barna natyrale për lehtësimin e dhimbjes dhe parandalimin e sulmeve, si dhe ndryshime në stilin e jetës për të reduktuar frekuencën e tyre”- thuhet në postimin e faqes Bio Pharmacy (arkiva).
Krypometër ka kontaktuar edhe me faqen Bio Pharmacy (arkiva), të cilët kanë thënë se këto pika i shesin në Kosovë tash e 15 vjet dhe të njëjtat kushtojnë 30 euro për dozën mujore (dy shishe), apo 20 euro më lirë se sa faqja tjetër e cila premton se të njëjtat e shërojnë migrenën. Ata kanë thënë se i importojnë këto pika dhe i shesin në të gjithë Kosovën.
Krypometër për këtë ka kontaktuar edhe mjekun familjar njëherish drejtor i QKMF-së në Mitrovicë, Fevzi Sylejmani.
Sylejmani ka thënë se shkaktarët e migrenës ende nuk dihen.
“Së pari ende nuk dihet shkaktari i migrenës, edhe për profesionistët e fushës është problematike trajtimi. Ka medikamente që e lehtësojnë atakun, por prapë tretmani është individual”- ka thënë Sylejmani, duke bërë thirrje që të mos përdoren medikamente pa u konsultuar me mjekun.
“Nuk ka mundësi që migrena të trajtohet me këto medikamente, i morën në qafë njerëzit me këto bestytni”- ka thënë tutje ai.
Gjithashtu, Krypometër ka folur edhe me specialistin e Farmacisë Klinike, Astrit Haxhijaha, i cili tha se këto pika nuk gjenden në barnatore.
“Këto pikat e prezantuara si ilaçe për kurimin e migrenës nuk gjenden askund nëpër barnatore dhe nuk rekomandohet që të blihen online. Nuk ka asnjë hulumtim shkencor që me këto pika mund të shërohet migrena. Konsultohuni me mjekun ose farmacistin para se t’i përdorni këto ilaçe dhe rekomandimi më i mirë është që ilaçet të blihen në barnatore e jo në formë online”- ka thënë Haxhijaha
Çka është migrena?
Krypometër ka biseduar edhe me drejtorin e Neurologjisë në QKUK, Edmond Komoni, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë kurë që shëron migrenën përgjithmonë, vetëm ka preparate që qetësojnë dhimbjet.
“Migrena është sëmundje të cilës nuk i dihet shkaktari, as mekanizmat e plotë de si funksionon ajo. Por mund të themi se deri në 40% të rasteve me migrenë janë trashëgimi familjare. Migrena karakterizohet me dhimbje të forta që zgjasin nga 4 deri në 72 orë. Sëmundjet karakterizohen me intensitet mesatar dhe të lartë, gjithashtu migrena shkakton të vjella, mundim, pengon zhurma, drita etj”- ka thënë Komoni.
Ai ka thënë se janë dy lloje të trajtimit të kësaj sëmundjeje.
“Terapia e fazës akute kur fillon kokëdhembja që do të thotë me ndalje të dhimbjes me ilaçe. Terapia e dytë parandaluese, kjo psh. kur kokëdhimbja karakterizohet me dhimbje të përsëritjes. Terapia parandaluese ka barëra që kanë për qëllim rrallimin e dhimbjeve, brenda ditës, javës apo muajit. Kjo terapi preferohet më shumë për pacientët që kanë dhimbje më shumë se 3 herë brenda muajit. Në kuadër të krejt këtyre preferohet të merret magnez dhe vitaminë B2 plus, duhet të shmangen disa ushqime psh. kafja, kakao etj”- ka thënë Komoni.
|