schema:text
| - Komuna e Prishtinës i ka ndarë 110 mijë euro për shërim të Elza Ujkanit, motrës së deputetes
Deklarata
Komuna e Prishtines ndan 110 mije euro per motren e deputetes së VETEVENDOSJES – VV e cila ishte lenduar nga qatia e komunes, ndersa Heroi Afrim Bunjaku i cili dha jeten për Kosovën shteti i ndan vetem 50 mije euro!
Vlerësimi
Me kos
Në postimin “Komuna e Prishtines ndan 110 mije euro per motren e deputetes së VETEVENDOSJES – VV e cila ishte lenduar nga qatia e komunes, ndersa Heroi Afrim Bunjaku i cili dha jeten për Kosovën shteti i ndan vetem 50 mije euro!” nuk është dhënë konteksti i plotë, duke mos treguar aryset e ndarjes së mjeteve për motrën e deputetes së Vetëvendosjes. Komuna e Prishtinës i ka ndarë 110 mijë euro për të mbuluar shpenzimet për shërim të mëtutjeshëm të Elza Ujkanit, e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës. Këto mjete nuk janë ndarë si dëmëshpërblim. Ndërkohë, qeveria e Kosovës i kishte ndarë 50 mijë euro si mbështetje financiare për familjen e Rreshterit Afrim Bunjaku, i cili kishte rënë në detyrë.
Artikulli
Më 25.05.2024 faqja në Facebook “Prishtina” (arkiva) ka shpërndarë një postim me mbishkrim “Komuna e Prishtines ndan 110 mije euro per motren e deputetes së VETEVENDOSJES – VV e cila ishte lenduar nga qatia e komunes, ndersa Heroi Afrim Bunjaku i cili dha jeten për Kosovën shteti i ndan vetem 50 mije euro! Si e komentoni?”
Postimi është ilustruar me fotografinë e zyrtarit policor Afrim Bunjaku, i cili është vrarë më 24.09.2023 në sulmin terroristit në Banjskë, si dhe Elza Ujkani, qytetares e cila kishte pësuar lëndime në kokë nga rënia e kulmit të objektit të komunës në kryeqytet.
Në këtë postim është kërkuar mendimi i qytetarëve për këto dy vendime, prandaj në postim janë bërë 47 komente, disa prej të cilave i kanë peshuar e krahasuar këto dy vendime.
Njëri nga komentuesit kishte shkruar “#krejtDrejt. Mazamakeq për këtë shtet!”, ndërsa një tjetër kishte thënë “Kjo esht turpi i politikes”.
Për të verifikuar këtë postim, krypometër fillimisht ka analizuar vendimin e Kuvendit Komuna të Prishtinës për t’i ndarë 110 mijë euro Elza Ujkanit.
Kryetari Përparim Rama në këtë seancë ishte shprehur se shuma është vendosur në bazë të disa faturave që kanë marrë nga familja e saj.
“Ka të bëjë me përmirësimin e shëndetit të zonjushës Elza Ujkani e cila është me fat dhe ne po ashtu jemi me fat, që është me neve, qëllimi është t’i ndihmojmë në vazhdim të shërimit”- u shpreh Rama më 24.05.2024.
Derisa, për faktin që Ujkani do të bënte ndërhyrje kirurgjike jashtë vendit kishte bërë të ditur edhe asamblisti i LVV-së, Gëzim Sveçla.
“Në një situatë të tillë, është esenciale që Elza është në kërkim të shërimit, do ketë një operim jashtë vendit. Ka rrezik që kjo të krijojë precedent, por ndoshta duhet të krijojmë një mendësi që duhet të japim përgjegjësi për gjërat që bëhet dhe se ka pronarë të asaj pune”- u shpreh Sveçla.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fjolla Ujkani kishte dalë me një sqarim rreth parave të ndara për motrën e saj nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Ajo kishte thënë se është i pasaktë lajmi se motra e saj ka marrë dëmshpërblim.
“Publiku u keqinformua se familjes sonë i është dhënë dëmshpërblim/ kompensim nga Komuna për dëmin që i është bërë Elzës. Për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës, Elza duhet t’i nënshtrohet një operacioni plastik jashtë vendit. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të mbuluar pjesën e dëmtuar dhe për të parandaluar komplikime të mëtejshme shëndetësore”– ka shkruar deputetja Ujkani në Facebook, më 25.05.2024.
Më 18.01.2024 23-vjeçarja, Elza Ujkani, pësoi lëndime për shkak se i ranë pjesë të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’.
Ujkani kishte qëndruar në spital në QKUK deri më 25.03.2024, pasë dy ndërhyrjeve kirurgjike në kokë.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 27.09.2023, kishte marrë vendim që t’i ndajë 50 mijë euro familjes së togerit të vrarë në sulmin terrorist në Banjskë.
Në orët e para më 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm terrorist.
Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë dhe disa u plagosën. Disa prej personave të përfshirë në sulmin në Banjskë u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit kanë ikur në Serbi. Gati pesë muaj pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.
Operacioni i sulmit terrorist është udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili vazhdon të mbetet në kërkim.
Institucionet e Kosovës kanë ndarë mjete financiare për shërbime të politikanëve edhe në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i ndarë 30 mijë euro ish-zëvendëskryeministrit, Bujar Bukoshi.
|