schema:text
| - Pretendime të pabazuara për zhbllokimin e arterieve të zemrës me hudhër
Deklarata
Hudhra dhe #limoni: Receta për #zemrën që zhbllokojnë arteriet dhe ulin presionin e gjakut.
Vlerësimi
Me kos
Janë të rreme pretendimet e postuara në Facebook që thonë “Hudhra dhe #limoni: Receta për #zemrën që zhbllokojnë arteriet dhe ulin presionin e gjakut.” Kardiologu i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Lulzim Bashota thot se s’ka asgjë shkencore lidhur me këtë mjekim, pasi medikamentet kundër problemeve të zemrës studiohen me vite efektet pozitive e negative, para se të fillojnë t’i rekomandojnë për pacientët. Kardiologu Agron Qerimi ka thënë se janë tri opsione që i ndërmarrin kur një pacient ka bllokim të arterieve: ilaçet, unazat me legura metalike apo jometalike, por edhe me bypass, varësisht nga gjendja e arteries.
Artikulli
Më 22.02.2025, faqja në Facebook kercova.net (arkiva) ka publikuar një artikull rreth zhbllokimit të arterieve të zemrës, si dhe uljen e presionit të gjakut.
“Hudhra dhe #limoni: Receta për #zemrën që zhbllokojnë arteriet dhe ulin presionin e gjakut.”- shkruan në titullin e këtij artikulli.
Kur klikon në link të dërgon tek uebfaqja kercova.net (arkiva), në të cilën është publikuar edhe receta me hudhër e limonë, për të cilin pretendohet se i zhbllokon arteriet.
“Kombinimi i këtyre dy përbërësve bashkë mund të bëjë mrekulli për shëndetin tuaj kardiovaskular. Recetat më poshtë kanë dhënë prova se ndihmojnë në zhbllokimin e arterieve të bllokuara. Do t’ju tregojmë se si t’i kombinoni në dy mënyra hudhrat dhe limonin për efekte të garantuara. Nëse trajtoheni me medikamente për zemrën, flisni paraprakisht me mjekun tuaj!”- pretendohet në këtë artikull.
Krypometër për ta verifikuar këtë ka kontaktuar me kardiologun e Njësisë Koronare të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Lulzim Bashota.
Ai ka thënë se kjo recetë mund të hyjë në mjekësinë popullore, por që s’ka asgjë shkencore lidhur me këtë mjekim, rrjedhimisht nuk rekomandohet nga kardiologët.
“Këto të gjitha janë të dhëna të pa verifikuara shkencërisht. D.m.th. Nuk ka studime që janë bërë për këta përbërës!!! Çdo medikament kundër problemeve të zemrës, qoftë edhe hipertensioni, merr kohë me vite për t’u studiuar dhe analizuar efektet pozitive, apo ato që janë target, si dhe efektet negative në organizëm… me një fjalë, kjo më shumë është popullore… të vërtetuar s’ka asgjë në këtë drejtim.”- ka thënë Bashota.
Kardiologu Agron Qerimi ka thënë për Krypometër se këto receta nuk kanë efektin e reklamuar në këtë artikull.
“Po të kishte qenë e vërtetë, kishte me qenë shpëtim. Por, kjo nuk ka ndikim në shëndet. Më herët është menduar se ka ndikim të mirë, por kjo është më shumë placebo terapi (trajtim që nuk ka përbërës aktiv mjekësor, por që mund të shkaktojë një përmirësim te pacienti, thjesht për shkak të besimit të tij se po merr një trajtim të vërtetë). Anglezët biles kanë prodhuar tableta të koncentruara me ekstrakt të hudhrës. Por, më vonë janë realizuar punime dhe kanë ardhur në konkluzion, që nuk ka efekt.”- ka thënë Qerimi.
Ai ka thënë se janë tri opsione që i ndërmarrin kur një pacient ka bllokim të artierieve, varësisht nga gjendja.
“Janë tri opsione: ilaçet, unazat me legura metalike apo jometalike, por edhe me bypass, varësisht nga gjendja e arteries.”- ka thënë ai.
|