schema:text
| - Titulli i rremë se lajmi për vetëmenaxhimin po i qetëson qytetarët e Kosovës
Deklarata
“Vjen lajmi qe po qeteson gjithe qytetaret e Kosoves/ ‘Vetëmenaxhimi nuk nënkupton themelimin e Asociacionit’”
Vlerësimi
Me kos
Artikulli me titull “Vjen lajmi qe po qeteson gjithe qytetaret e Kosoves/ ‘Vetëmenaxhimi nuk nënkupton themelimin e Asociacionit’” nuk është i bazuar në fakte. Në artikull nuk është asnjë fakt apo burim kredibil që e mbështetë konstatimin në titull se lajmi “po qetëson gjithë qytetarët e Kosovës”. Fakti që në titull nuk është treguar se kush e ka thënë një deklaratë të tillë dhe në fotografinë kryesore të artikullit është edhe emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka bërë që qytetarët të mos e kuptojnë drejt këtë artikull.
Artikulli
Më 17 prill 2023 faqja në Facebook “Tv Rapsodet” ka shpërndarë artikullin me titull “Vetëmenaxhimi nuk nënkupton themelimin e Asociacionit”.
I njëjti është shpërndarë në disa faqe në Facebook, me mbishkrimin: “Vjen lajmi qe po qeteson gjithe qytetaret e Kosoves/ ‘Vetëmenaxhimi nuk nënkupton themelimin e Asociacionit’”.
Faqet që e kanë shpërndarë këtë artikull janë: Pamfleti.com, Tv Rapsodet, Fresh Lajme, Zeri i Diaspores, Gazetta Drita, Liria ka emër UÇK, Gazeta NKosovë, Jeta ne Prishtine, Folklori i kombit Shqiptar, Shqipet, Miresevini dhe Gazeta Parlamenti.
Artikulli i referohet një deklarate të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bilmi, që ka thënë se vetëmenaxhimi i komunitetit serb sipas Marrëveshjes së Brukselit nuk nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në përmbajtje të artikullit nuk është mbështetur pjesa e cila thotë se lajmi po qetëson të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi në artikull nuk është dhënë asnjë matje e opinionit publik.
Përveç kësaj, në titull nuk tregohet se kush e ka bërë një deklaratë të tillë, ndërkohë që artikulli është ilustruar me fotografinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak. Asnjëri prej personave që janë në foton kryesore të artikullit nuk është cituar në këtë artikull.
|