schema:text
| - Foto: president-ksgov.net
Huqja Kushtetuese e Presidentit Thaçi
Deklarata
Hashim Thaçi: Në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, sot, me dekret kam emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti jo shumicë.
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Krypometri deklaratën e presidentit Hashim Thaçi e vlerëson si gjysmë të vërtetë apo huqje të fakteve që bazohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këshilli Gjyqësor ka kompetenca t’i propozojë presidentit emrat e rinj për gjykatë.
Artikulli
Presidenti i Republikës së Kosovës pas procedurës së betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të punojnë në institucionet e drejtësisë në veri të vendit, si pjesë e Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel me 10 shkurt 2015, ka dhënë një deklaratë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
“Në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, sot, me dekret kam emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti jo shumicë”, ka shkruar në faqen e tij të “Facebook”-ut, presidenti Thaçi.
Mirëpo, kjo deklaratë është e pasaktë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, më konkretisht neni 104, parasheh që: “Gjyqtarët i emëron, riemëron dhe shkarkon Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.”
Pra, deklarimi i presidentit del të jetë i pasaktë apo lëshim në aspektin kushtetues, ngase gjyqtarët nuk i propozohen presidentit për emërim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, por nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Por, është i sakt[ konstatimi i presidentit sa i përket propozimit për emërim të prokurorëve të Republikës së Kosovës.
Në bazë të Kushtetutës (nenit 84, paragrafi 18), thuhet se presidenti “emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës.”
|